Vetëvendosje kërcënon se do të shkohet në zgjedhje nëse nuk votohet Vjosa për presidente

Është seanca e parë plenare e legjislaturës së tetë. Këtu, ndonëse në ditën e 11-të të mandatit, kryeministri Albin Kurti po e kërcënon opozitën me zgjedhje të reja, në rast se ajo nuk mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin shefe të shtetit.

“Njëherë do ta zgjedhim presidenten. Është e domosdoshme ta përmbyllim hapin e tretë të konstituimit të institucioneve, në mënyrë që ta kemi mandatin katërvjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Kurti në këtë seancë.

Në funksion të kësaj që tha Kurti, partia që ai e drejtoi ndërmori veprime me të përfunduar seanca ku u votuan komisionet funksionale të Kuvendit.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka proceduar për në Kryesinë e Kuvendit amenadamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ligj ky që do t’i mundësojë diasporës së Republikës së Kosovës të votojë në ambasadat e Republikës sonë”, është shprehur Mimoza Kusari-Lila, ushtruese detyre e shefit të Grupit Parlamentar të VV-së.

Nëpërmjet votimit me postë, por edhe duke ardhur fizikisht në Kosovë, diaspora masivisht ka votuar Vetëvendosjen, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit siguroi mbështetjen e 50.28 për qind të elektoratit. E me ndryshimet ligjore të propozuara, procesi i votimit të diasporës do të lehtësohej shumë më shumë.

Kryesia e Kuvendit i kërkoi Qeverisë mendim mbi ndryshimet ligjore të propozuara dhe, sipas procedurës, ia dha një muaj kohë për të dhënë një mendim.

Por, burime të KOHËS treguan se tashmë Qeveria e ka bërë vlerësimin e ndikimit financiar të këtyre ndryshimeve e edhe e ka nxjerrë deklaratën për përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së. Pas kësaj, Qeveria në një mbledhje online do të votojë për mendimin rreth ligjit të propozuar dhe atë do t’ia përcjellë sonte Kuvendit.

Opozita u pozicionua kundër nismës ligjore.

“Qeveria ish dashtë të merrej me prioritete tjera, ish dashtë të merrej me pandeminë, me sigurimin e vaksinave. Ish dashtë të merrej me ekonominë dhe sidomos me përkrahje të sektorit privat dhe të shtresave në nevojë”, ka thënë Bedri Hamza, nënkryetar i Kuvendit nga PDK-ja.

“Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, ka thënë LDK-ja.

Advertisement

“Kjo e konfirmon edhe konstatimin tonë si subjekt politik që ndjenja e autoritarizmit, ndjenja e dominimit, arroganca e numrave nuk ishte veç deklarim i yni, por kjo po vërtetohet sot me sjelljen e këtij ligji për ndryshim”, ka deklaruar Besnik Tahiri, kryetar i GP të AAK-së.

Seanca urgjente nuk mund të mbahet, pa dhënë mendimin Qeveria për ndryshimet e propozuara në Ligjin për zgjedhjet. E Vetëvendosje u përcaktua që pas miratimit të ndryshimeve, të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit, në të cilën nuk ka garanci se mund të sigurohet kuorumi prej dy të tretave të deputetëve.

“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Kuvendit të Republikës, kemi konfirmimin se janë 80 të vullnetshëm të marrin pjesë në procesin e votimit, përderisa ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëjtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka theksuar Kusari-Lila.

Vjosa Osmani është kandidate e Vetëvendosjes për presidente. Para Kryesisë së Kuvendit janë deponuar edhe nënshkrimet e nevojshme për kandidatin e dytë, sa për të plotësuar kriterin kushtetues të garës në këtë proces zgjedhjeje.

E dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit, me automatizëm e çon vendin në zgjedhje të parakohshme./koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Advertisement
Advertisement

You May Also Like