A do të ketë shumicë të re VMRO-BDI? Mickoski ende ka shpresë!

Lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, as nuk ka hequr e as nuk do të heqë dorë nga përpjekja për formimin e shumicës së re parlamentare. Ambicia vazhdon, si për shumicën po ashtu edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, madje në ClickPlus tregoi se komunikon me deputetë të shumicës.

“Normalisht se kam pasur me të paktën 80 deputetë në Kuvend, plus tanët që janë aty. Ka edhe nga LSDM, edhe nga BDI, ka edhe nga parti të tjera që janë në koalicion me LSDM-në”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Partnerët qeverisës të Zaevit mohojnë.Shumica është stabile dhe kjo u dëshmua me votëbesimin e Qeverisë thotë koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, duke shtuar se janë të fokusuar në punë me shumicën parlamentare aktuale.

“Maksimalisht ne si BDI jemi të fokusuar që të realizojmë atë program për të cilin e morëm votëbesimin e qytetarëve dhe po shohim se premtimet e dhëna çdo ditë po realizohen edhe para afateve që i kemi premtuar”, deklaroi Arbër Ademi nga BDI.

Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha thotë se nëse Mickoski e ka fjalën për takime për çështjen e votimit të pakove të përbashkëta që janë dakorduar mes pushtetit dhe opozitës, janë mbi 95 deputetë që kanë votuar për të debllokuar Kuvendit.

“Nëse bëhet fjalë për diçka të veçantë që ai nuk dëshiron ta shfaqë në opinion, mund të ju them një gjë të sigurt se Lëvizja Besa është pjesë e pushtetit ku kemi 62 numra si pjesë e shumicës dhe kemi një komoditet jashtëzakonisht të madh dhe nuk shohim ndonjë rrezik qoftë nga opozita maqedonase ose ajo shqiptare”, u shpreh Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Advertisement

Halil Snopçe nga koalicioni Aleanca-Alternativa pohon se nuk ka pasur takim zyrtar për krijim të shumicës së re. Të interesuar janë, nëse krijohen kushte për shumicë të re.

“E vetmja gjë që garantojmë është se kemi një grup parlamentar stabil, unik dhe se i mbrojmë interesat e shqiptarëve me krenari dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë kështu deri në fund. Normalisht nëse krijohen kushte për të krijuar një shumicë të re parlamentare, ne do të bisedojmë dhe sigurisht do të jemi të interesuar, por momentalisht ushtrojmë këtë korrektorin e qeverisë në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, theksoi Halil Snopçe nga ASH-AAA.

Ka muaj që kreu i VMRO-DPMNE-së flet për shumicë të re të drejtuar nga paria e tij dhe se deputetë të shumicës do të kalojnë në anën e tij, por deri më tani asnjë lëvizje nuk ka ndodhur. Edhe kryeministri Zoran Zaev po ashtu ka thënë se deputetë opozitarë mund t’i bashkohen shumicës, por edhe këto deri më tani kanë mbetur vetëm fjalë./tv21

Advertisement
Advertisement

You May Also Like