Dramë – Bëri aksident në Shkup, 65 vjeçari fut në makinë një grua dhe e rrah!

Estimated read time 3 min read

Prokuroria Themelore Publike Shkup, ka miratuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër personit për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale – Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 6 në lidhje me paragrafin 1, por edhe Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 paragrafi 1 nga Kodi Penal, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari, 65-vjeçar më 27.12.2023, në bulevardin “Jane Sandanski” në Shkup ka shkaktuar rrezik të lartë për dy të dëmtuar – nënë dhe bir, ndërkaq ka kryer edhe dhunë të ashpër ndaj gruas së dëmtuar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Derisa e dëmtuarit me automjetin e tyre kanë qenë duke lëvizur nëpër bulevardin “Jane Sandanski”, i dyshuari i ka goditur me veturën e tij, duke kaluar në mënyrë të parregullt nëpërmjet vizave të bardha në semafor të kuq. I dëmtuari i cili e ka drejtuar automjetin i është vënë pas të dyshuarit dhe në udhëkryqin e radhës ka dalë që ta pyet se pse i ka goditur. I dyshuari atëherë ka dalë nga automjeti dhe me thikë në dorë ka filluar të kërcënohet. I frikësuar, i dëmtuari është kthyer në automjetin me të cilin ka qenë edhe nëna e tij, por i dyshuari sërish ka hyrë në automjetin e tij dhe në rikverc e ka goditur sërish automjetin e të dëmtuarve. Grindja ka vazhduar, ndërkaq kur ka dalë nga automjeti edhe nëna, i dyshuari e ka kapur për flokë dhe ka filluar ta tërheqë zvarrë, dhunshëm e ka futur në automjetin e tij dhe ka filluar të vozit në drejtim të Lisiçes. Pas rreth 600 metrash ka ndaluar, e ka nxjerrë gruan nga vetura dhe fizikisht e ka sulmuar, duke e goditur me shqelma dhe grushta dhe duke e kërcënuar se do ta hedh në lumin Vardar”, thonë nga Prokuroria.

Advertisement

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, i dyshuari i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore – tre fraktura dhe tronditje të trurit, ndërkaq dëshmitarëve të ngjarjes u ka shkaktuar ndjenjë të rrezikut dhe frikës.

Prokurori deri te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, pasi që ekziston rreziku nga arratisja dhe mundësia që t’i përsërisë veprat.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like