Mjeku i njohur Ilirjan Draçi ka humbur sot betejën me koronavirusin. Draçi ishte i shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv në Tiranë, ku përmes një postimi në rrjetet sociale vetëm 9 ditë më parë, tregonte luftën për të mposhtur sëmundjen.
“Vazhdon beteja tepër e veshtirë me virusin. Të gjithë kolegë, infermierë, sanitarë, miq dhe shokë, po bëjnë gjithcka për të më shpëtuar jetën. Mbani maska, ruani distancën, lani duart. Një gabim i vogël, ju kushton jetën. Beteja vazhdon……”, shkruante Draçi në postimin e tij në rrjetet sociale, që duket se do të jetë i fundit.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka lënë të shokuar familjarë e miq të tij, por padyshim dhe të gjithë qytetarëve që u ka shërbyer në gjithë këto vite. E para që reagoi për ndarjen nga jeta të Draçit ishte ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shkruante:
Dr. Ilirjan Draçi ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me rradhë, si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1. Dr. Ilirjani nuk ia doli në betejën me virusin e pabesë, megjithë përpjekjet e mëdha të kolegëve në spitalin Infektiv.
E trishtuar nga kjo humbje e madhe për të gjithë ne. Do na mungojë shumë energjia e pashtershme dhe shpirti i sakrificës të një mjeku model, qytetari të mirë dhe drejtuesi të zot.
U prehsh në paqe dr. Draçi! Ne do ta fitojmë luftën ndaj këtij armiku të padukshëm të gjithë #bashkë!
Draçi ka qenë mjek patolog, gastrohepatolog, endoscopist në poliklinikën numër 1, i njohur ndryshe dhe si spitali iranian në Tiranë.