Maas: Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të hapen brenda këtij viti

Nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, u zhvillua të martën në Berlin konferenca e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha të martën (08.06) në Berlin se nuk beson se Konferencat e Para Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të hapen gjatë presidencës portugeze të BE-së. Ai i quajti përpjekjet që po bën aktualisht Portugalia si kryetare e radhës së BE-së për ta kaluar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në planin dypalësh një “fundament i mirë për të arritur çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare me këto dy vende në kuadër të presidencës sllovene, në gjysmën e dytë të këtij viti.

Maas: Jam optimist edhe pse po zgjat më shumë se ç’duam “Jemi në dialog të ngushtë me Slloveninë dhe Portugalinë, në kuadër të presidencës treshe të Këshillit të BE-së, por edhe me Komisionin e BE-së, në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të hapen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam”, tha shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas duke iu përgjigjur kështu një pyetjeje të Deutsche Welle-s./AbcNews/

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like