Katër viktima dhe 52 të arrestuar pas trazirave në Kongresin Amerikan

4 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dhunës që shpërtheu në Kongres. Policia thotë se janë arrestuar 52 persona, pasi mbështetësit e Donald Trump mësynë në Capitol Hill për të ndaluar Kongresin që të certifikonte vitoren e Joe Biden.

Shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane, Robert J. Contee, tha se mes të arrestuarve ka edhe nga ata që kanë mbajtur armë pa leje.

Ai shtoi se në zyrat e komiteteve kombëtare të republikanëve dhe demokratëve u gjetën dy bomba, ndërsa në një makinë u gjetën disa bomba molotov. Viktima e parë e kryengritjes së Washington ishte një grua.

Sipas mediave ajo ishte një veterane e forcave ajrore. Mendohet se Ashli Babbitt është qëlluar pasi ka hyrë në godinë përkrah protestuesve të tjerë.

Mediat amerikane kanë konfirmuar se Babbitt ishte mbështetëse e Presidentit në detyrë Donald Trump.

Tre viktimat e tjerë, një grua dhe dy burra, vdiqën gjatë rrugës për në spital, pasi sipas autoriteteve ishin nisur për urgjencë mjekësore. Nga trazirat ka edhe të plagosur. Mes tyre janë 14 policë, 2 prej të cilëve janë të shtruar në spital. Pritet që numri i personave të arrestuar të rritet në orët në vijim.

Qindra mbështetës të Presidentit në detyrë Donald Trump që rrethuan ndërtesën e Kapitolit në kryeqytetin Uashington, hynë në ambientet e brendshme të Kongresit në përpjekje për të hyrë në sallën e Senatit.

Advertisement

Ata qëlluan me grushte dyert teksa njëri prej tyre arriti të hyjë brenda sallës duke detyruar zv/Presidentin Mike Pence si drejtues i seancës, ta pezullojë atë përkohësisht.

Policia ndërhyri duke evakuuar kongresistët, ata të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorët që sipas Kushtetutës zhvillojnë një sesion të përbashkët për të certifikuar rezultatin e votës së Kolegjit, që shpalli fitues më 14 Dhjetor, demokratin Joe Biden me 306 vota kundrejt 232 të tjerave për republikanin Donald Trump.

Ishte Trump ai që thirri këtë tubim, por më vonë gjatë një reagimi në rrjetet sociale u kërkoi mbështetësve të protestojnë në mënyrë paqësore. Ai urrdhëroi gjithashtu mobilizimin e forcave shtesë në mbrojtje të rendit publik.

Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Joe Biden, akuzoi Presidentin në detyrë Donald Trump si organizator të kaosit./tvklan.al

Advertisement
Advertisement

You May Also Like