• 05-08-2021

“I lënë në harresë”, ja kushtet e mjerueshme të ish ushtarit të UÇK-së

Ishte 22-vjeçar kur iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lulzim Imeri, nga fshati Liqej i Vushtrrisë, kishte shërbyer në Brigadën 142 në Zonën Operative të Shalës.

Ai rrëfen momentet e vështira kur humbi disa nga bashkëluftëtarët e tij, ndërsa vetë mbeti i plagosur rëndë.

“Jam plagosur duke ardhur nga Shqipëria. Kam rënë në pre në fshatin Napteruzh (Suharekë). Aty janë vrarë pesë shokë të mi. ….Unë vetë i dyti kam shpëtuar. Unë kur kam rënë në pre, jam plagosur rëndë, më ka humbur edhe vetëdija. Nuk kam ditur 24 orë ku jam. Kam qenë i pavetëdijshëm. Në vendin ku jam plagosur, kam qëndruar një muaj ditë. Prej aty, kam ardhur në fshatin tim, në Liqej”, tregon ai.

Jemi ballafaquar me një autoblindë. Kemi rënë në pre të tij. Gulinovi më ka rënë këtu. Ndërsa automati këtu”, tha Lulzimi.

Por, në atë kohë Lulzimi asnjëherë nuk e mendoi se 20 vjet pas përfundimit të luftës do të përballej me kushte të rënda ekonomike në të cilat po jeton familja e tij sot.

 

Pensioni prej 320 eurove i invalidit, Lulzimit nuk i mjafton për të kryer të gjitha obligimet për familjen e tij gjashtanëtarëshe.

“Unë e kam këtë shtëpi. Më është kallur në luftë. E marrë një pension 320 euro. Ato nuk po më dalin. I kam katër fëmijët në shkollë. Po duhet nga pak me u përmbajt se nuk po kemi. Unë këtu jam qe 20 vjet. Me atë ndihmë jetoj. Po mundohemi me lënë diçka keq. Po duhet me pagua kombin. Tre fëmijët shkojnë në qytet në shkollë. Po duhet me ja marrë fqinjëve veturën me dërgu djalin e vogël në shkollë sepse po frikësohet me shku vetëm. Ato para mundohem me i kursy, me ble ushqim për familjen. Na ka ndihmuar vetëm Shoqata e Invalidëve”, tha më tej Lulzimi.

Ai thotë se për shkak të pasojave që i ka lënë lufta, nuk është në gjendje të punojë.

“Unë prej dorës nuk mundem me lëvizë. 5 kilogramë nuk mundem me i çu rëndë. Është shumë e rëndë dhe s’po mundem. Kur po merr koha ftohtë është shumë rrezik për mu. Kam shumë dhimbje, nuk po mundem as të flej. Unë marr terapi nga mjekët në Vushtrri. Kur po flas për kohën e luftës po më shfaqen tërë natën. Po kam probleme. Nuk po mundem të flej. Po më kujtohet shoqëria e luftës, djali i axhës. Këta kanë qenë me mu bashkë”, u shpreh ish-ushtari.

Lulzimi 43 vjeç tregon se që nga përfundimi i luftës e deri më tani, askush nuk ia ka hapur derën për t’u interesuar për jetën e vështirë që po bën.

“Kam nevojë me ma riparu shtëpinë. Kati i parë i shtëpisë është pak më mirë. Ndërsa, kati i dytë është shumë keq. Që ka mundësi dikush me ma riparu shtëpinë. Qe 20 vjet janë bërë dhe askush nuk ka ardhur me më pyet a duhet me më ndihmu diçka. Unë me 320 euro nuk mundem me bë shtëpi. Fëmija më i madh është 17 vjet. Fëmijët po kanë kërkesa, unë nuk po mundem me ua plotësu. Dikush në shkollë i merr 50 centë, e fëmijët e mi nuk kanë. Unë po duhet me ulë kokën. Mërzitem! Kur nuk ka njeriu, çka me bë?”, tregon Lulzimi.

E për dallim nga fëmijët tjerë, ata të Lulzimit nuk kanë fare qasje në pajisjet teknologjike. Madje as tani në kohë pandemie, kur nxënësit po detyrohen t’i ndjekin mësimet online.

“Fëmijët kërkojnë vazhdimisht, ata nuk dinë. Kanë dëshirë ta bëjnë një jetë më të mirë. Fëmijët nuk kanë qasje në teknologji. Fëmijët as mësimet nuk po kanë mundësi me i ndjekë, mësimet online. Nuk kemi as kompjuter. Kurrfarë lidhje për fëmijë. Vetëm po shikoj”, u shpreh Lulzimi.

Por pavarësisht jetës së vështirë që po bën, ai asnjëherë nuk u pendua për vendimin që mori t’i bashkua luftës së UÇK-së.

“Ne kemi luftuar për ta larguar Serbinë nga Kosova. Ne kemi luftuar për ta çliruar vendin tonë. Së pari familjen, me mbrojtë familjen”, tha në fund Lulzimi.

Numri ku mund ta kontaktoni Lulzim Imerin: 049/877-112. /Gazeta Objektiv/

Read Previous

“Mos vd*eksh”, gratë e Maradonës në lu*ftë për pasurinë e tij

Read Next

Janë sanksionuar 625 persona për mosmbajtje të maskës

%d bloggers like this: