• 12-05-2021

Droga, 30 ditë paraburgim për të arrestuarit

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit në aksionin e policisë dhe DEA-s amerikane, për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuanë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Aleksandar Ushilkovski, për të cilin opozita pretendon se është shoferi i Trajçe Zaevit, kushëririt të kryeministrit Zoran Zaev, si dhe shefi i stacionit policor të Prilepit, Kire Spirkoski. Së bashku me të tjerët, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal për të shitur 200 kilogramë marijuanë në Greqi. VMRO-DPMNE tashmë dy ditë e përmend përfshirjen e shoferit të Trajçe Zaevit dhe pyet nëse droga është bartur me furgon në pronësi të kompanisë partnere të familjes Zaev. Kushëriri i kryeministrit u përgjigj përmes Facebook-ut.

Furgoni i përmendur nga aksioni i MPB-së nuk është pronë e kompanisë së familjes Zaev. Askush nga të arrestuarit nuk është i punësuar në asnjë kompani të familjes Zaev. Unë jam në udhëtim zyrtar që nga 23 marsi në Emiratet e Bashkuara Arabe për ta zgjeruar punën e kompanive tona, hapjen e tregjeve të reja për prodhimet tona vendore dhe fitimin e partnerëve të ri për bashkëpunim- deklaroi Trajçe Zaev – biznesmen dhe kushëri i kryeministrit Zoran Zaev

Është e panjohur prej ku vijnë 200 kilogramët marihuanë të konfiskuar, edhe pse janë kryer kontrolle në dy kompani për kultivimin e kanabisit mjekësorë në Prilep dhe Manastir. Nga MPB thonë se pas arrestimeve dhe padive penale, lënda tashmë është në kompetencë të Prokurorisë. Nga Prokuroria nuk duan të zbardhin detaje në këtë fazë të procedurës. Në pyetjen e dërguar pranë Qeverisë nëse do të rishqyrtohet edhe përgjegjësia e ministrit Spasovski pasi u vërtetua se një nëpunës i lartë i policisë është i përfshirë në kontrabandën e drogës, pas skandalit me pasaportat e falsifikuara, prej atje u shprehën se rastet e fundit janë dëshmi se secili mban përgjegjësi për veprimet e veta.

Vizard Qeveria

“Aksioni policor është rezultat i menaxhimit të suksesshëm të ministrit Oliver Spasovski me MPB-në. Qeveria pret hetim të shpejtë dhe të hollësishëm nga institucionet kompetente, përgjigje në pyetjet që janë në interes të opinionit dhe veprimit jo- selektiv, pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë. Nëse dikush ka vepruar në mënyrë joligjore, duhet të ballafaqohet me përgjegjësi”.

Ajo që deri më tani dihet është se grupi i organizuar kriminel e ka zhvendosur marihuanën nga furgoni me targa të Maqedonisë në furgon me targa greke, pas çka janë nisur në drejtime të ndryshme. Droga është kapur në furgonin grek në rrugën Prilep- Rosoman kurse në makinë në krye me kolonën e automjeteve, ka qenë shefi i stacionit policor të Prilepit, Kire Spirkoski. Pas tij, në makinë ka qenë Aleksandar Ushlikovski kurse i fundit në kolonë ka qenë furgoni me drogë. Njëkohësisht, në Prilep është kapur edhe vozitësi i furgonit me targa të Maqedonisë, ndërsa në pikën e karburantit në Gjevgjeli është arrestuar edhe i dyshuari i parë D.J nga Strumica./Alsat

Read Previous

Qeveria: Rreth 29 mijë qytetarë ia mësyen Shqipërisë, fluksin nuk e shkaktuan masat e reja

Read Next

Fushata e vaksinimit ende nuk ka nisur, Hasani: Këtë e bëjmë me vetëdije, ngaqë nuk kemi vaksina

%d bloggers like this: