Akuzohet për mitmarrje – gjykata ia merr pasaportën Ixhet Memetit!

Estimated read time 3 min read

Gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar masa kujdesi zëvendëskryetarit të Këshillit Gjyqësor dhe ish avokatit të popullit, Ixhet Memetit, i cili është i dyshuari i dytë në hetimin lidhur me marrjen e ryshfetit. Memeti ka mohuar përfshirjen e tij në këtë rast.

Gjykatësi i procedurës paraprake sot i ka caktuar masa kujdesi zëvendëskryetarit të Këshillit Gjyqësor dhe ish avokatit të popullit, Ixhet Memetit, i cili është i dyshuari i dytë në hetimin lidhur me marrjen e ryshfetit, rast në të cilën i dyshuar i parë është gjykatësi suprem Naqe Georgiev, i cili ndodhet në paraburgim. Me vendimin e sotëm të Gjykatës Penale, Memetit i është marrë pasaporta dhe nuk ka të drejtë të del jashtë shtetit dhe ka për obligim rregullisht të paraqitet në gjykatë.

“Të dyshuarit i caktohen masa kujdesi, përkatësisht obligim e të dyshuarit që përkohësisht të paraqitet te një person i caktuar zyrtar në gjykatë dhe marrje e dokumentit të udhëtimit dhe ndonjë dokumenti tjetër për kalim të kufirit shtetëror si dhe ndalesë për nxjerrjen e një të reje. Masat vlejnë deri në përfundimin e procedurës, ndërsa kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të ankohen para Këshillit Penal të kësaj gjykate”, thonë nga Gjykata.

Në një prononcim për media para Gjykatës Penale, Memeti ka mohuar përfshirjen e tij në këtë rast.

“Është në interesin tim dhe interesin e publikut që autoritetet të përfundojnë punën e tyre sa më shpejt. Kjo sigurisht që më prek mua si qenie njerëzore, megjithatë nuk është mirë të flas para mediave për një çështje që po zhvillohet në gjykatë. Ju siguroj se do të përfundojë shumë shpejt dhe do të dalë se nuk kam bërë asgjë kundërligjore”, tha Ixhet Memeti.

Advertisement

Gjykatësi suprem Nake Georgiev dhe Memeti dyshohen për veprën penale Shpërblim për ndikim të kundërligjshëm dhe po zhvillohet hetim kundër tyre.

Sipas informatave në media, rastin e ka paraqitur djali i ish kryetarit të Komunës Novo Sello, Boro Stojçev, i cili në mars të këtij viti u kap si i dyshuar me një grup më të madh për tregti të paligjshme me marihuanë dhe iu caktua masa e paraburgimit.

Sipas prokurorisë, i dyshuari i parë i ka premtuar favore për të pandehurin (babait të denoncuesit) dhe së bashku me të dyshuarit e dytë kanë përfaqësuar rrejshëm se do të ushtrojnë ndikim./tvklan.mk

Advertisement
Advertisement

You May Also Like