Seanca dëgjimore e cila është paraparë të mbahet në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se nuk po pritet aspak mirë në Serbi.
Arsyeja për këtë del të jetë pjesëmarrja e tre ekspertëve për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të jepen rekomandime për administratën e ardhme të udhëhequr nga Joe Biden, rreth qëndrimeve që duhet mbajtur ndaj rajonit dhe raporteve mes Kosovës e Serbisë.
Këtë e dëshmon një raportim i mediumit serb B92, i cili shkruan se ”Fati i marrëdhënieve SHBA-Serbi po formësohet nga një organ amerikan që është mbledhur sot”.
”Të ftuar, tre lobistë shqiptarë”, është qasja që i është dhënë tërë artikullit, referuar pjesëmarrjes së komitetit i cili kryesohet nga Kongresmeni Eliot Engel, mbështetës i madh i Kosovës.
Gjithashtu ky artikull ndërlidh edhe pjesëmarrjen në këtë panel edhe të Madeleine Albright, e cila shërbeu si ambasadore e SHBA-së në OKB e sekretare e shtetit gjatë viteve 1990, si dhe ishte aktive gjatë konflikteve në Ballkan në vitet 1990.
Veç tyre, pjesë e kësaj seance do të jetë edhe profesori i njohur i Universitetit ”Johns Hopkins” Daniel Serwer, i cili thuhet se do të rekomandojë ndaj Administratës Biden, që të angazhohet më fortë për të sjellë njohjen e shtetësisë së Kosovës, nga Serbia, përcjell Klan Kosova.