Rama inspekton spitalin Rajonal Memorial të Fierit, ja batuta që shkaktoi të qeshura(VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ishte sot për inspektim në spitalin Rajonal Memorial të Fierit, ndërsa nuk i kurseu batutat.

Kreu i qeverisë u ndal në një dhomë ku vizitoi një pacient, ndërsa ky i fundit nuk i kurseu lëvdatat për stafin mjekësor dhe kushtet e spitalit të ri. Rama nuk e kurseu humorin, ndërsa tha; “po këtë pse e mbani se ky qenka në super formë”.

“Unë jam i sëmurë o kryeministër po do shërohem po ti të na rrosh, e stafi juaj, këtu qenka fantastike, qenkan florinj, punëtorë e shumë pastërti”, -i tha pacienti.

Po ashtu, Rama vizitoi edhe qendrën e rezonancës, ku një pacient me hernie po bënte rezonancë.
“Hernia diskale, qenka si unë se dhe unë e kam”, tha Rama, ndërsa shefi i përgjithshëm i spitalit i tha kryeministrit; “Ua bëjmë që tani rezonancën, kur të doni”, batutë që shkaktoi të qeshura.

Duke folur për zhvillimin e mëtejshëm të Spitalit Memorial, Manastirliu theksoi se do të implementohet edhe Platforma e Digjitalizimit. “Tashmë kemi një plan se si do të shtrijmë gjithë platformën e digjitalizimit. Në fakt duam që të huazojmë eksperiencën turke sepse kanë një sistem shumë të kompletuar, ku edhe nëndrejtori tashmë na e ka prezantuar. Dhe besoj që do ta aplikojmë së shpejti. Por do të jetë me të vërtetë fantastike sepse bëhet gjithë organizimi i punëve në spital që nga hyrjet në sistem, tek farmaceutika, imazheria dhe të gjitha”, tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar stafin mjekësor të ardhur nga Turqia, duke u shprehur se ky spital do të shërbejë si një qendër e transferimit të dijes.

“Jam shumë mirënjohës për gjithë personelin turk që ka ardhur. Dhe dua që t’ju them që edhe në diskutimin që kam bërë me Presidentin qysh në fillim kjo nuk është çeshtje thjesht e një spitali, edhe një shërbimi më shumë që nuk diskutohet është shumë e rëndësishme, por është mbi të gjitha transferim i dijes. Edhe në një farë mënyrë misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer siç bëni zakonisht, por edhe për t’ju përcjellë kolegëve shqiptarë gjithë dijen dhe eksperiencën tuaj. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për spitalet e tjera edhe për personelin shëndetësor në spitalet e tjera”, deklaroi Kryeministri Rama.

Advertisement

Nga data 27 maj Spitali Memorial i Fierit ka hapur dyert për pacientët dhe deri tani janë 100 pacientë që kanë marrë shërbimet në këtë spital, 18 pacientë janë shtruar dhe janë realizuar 2 ndërhyrjet e para kirurgjiikale me sukses. Pacientët janë referuar raste nga qarku i Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traum./(BalkanWeb)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like