Qytetarët e Maqedonisë së Veriut optimistë për vitin 2021

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thonë se viti 2020 ishte shumë i vështirë për ta, për shkak të krizës që solli pandemia e koronavirusit, megjithëse e presin me optimizëm vitin 2021, që t’i kthehen normalitetit.

Qytetarët në Shkup, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se sapo të përfundojë pandemia do t’iu kthehen udhëtimeve, takimeve me miqtë dhe punës nga zyrat.

“Fillimisht pres që viti 2021 të jetë më i mirë, më pozitiv. Unë jam optimiste se do të largohet pandemia dhe do të vijnë ditë më të mira edhe në aspektin e politikës, por edhe shoqërisë”, thotë Teuta Buçi, qytetare e Shkupit.

Nga ana tjetër, Daniell Demirovski thotë se me shumë vështirësi e ka përballuar izolimin.

“Nëse do të largohej pandemia, çka do të bëja? Do të shkoja diku jashtë vendit, sinqerisht. Dëshiroj të jemi të lirë, të shijojmë natyrën që na e mundëson planeti ynë”, thotë ai.

Përderisa Emine Ismaili shpreson se viti i ri 2021 do të mundësojë përfundimin e pandemisë dhe kthimin në normalitet.

“Duke pas parasysh se ky vit nuk është se u tregua shumë i mirë me ne, uroj që fillimisht të marrë fund pandemia. Vaksinat të arrijnë sa më shpejtë, të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët dhe të largohet kjo pandemi dhe të mund kthehemi në realitetin që ishim para një viti”, thotë ajo.

Advertisement

Senad Ramoviq, i cili është i punësuar në sektorin e gastronomisë – një nga sektorët më të prekur nga masat e vendosura kundër pandemisë – thotë se viti 2020 ishte shumë i vështirë.

“Për mua si punëtor në gastronomi, e kisha shumë të vështirë. Do të thotë nuk kishte punë. Masat i kam respektuar, jam angazhuar që mos vi deri te pasojat e padëshiruara”, tregon ai për REL.

Megjithatë, Ramoviq shprehet optimist për 2021.

“Shumë shëndet, para së gjithash pra shumë shëndet. Shumë dashuri dhe më shumë njerëz të lumtur dhe të buzëqeshur. Dëshiroj që të largohet pandemia”, shton ai.

Edhe Furkan Imeri pret që 2021 të jetë vit i përfundimit të pandemisë.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like