• 05-08-2021

Paratë për dekorimin e Tetovës dhe Gostivarit, për qëllime sociale

Ky është viti i dytë që Komuna e Tetovës ridestinon mjete për qëllime të tjera dhe jo për zbukurimin e qytetit në prag të festave të fundvitit

UrimHASIPI

Tetovë, 11 dhjetor – Në prag të festës së Vitit të Ri, pothuajse çdo qytet në botë stoliset në mënyra të ndryshme.Në shumë qytete pushtetet ndajnë me qindra e mijëra euro për dekorime dhe manifestime të ndryshme. Dy qytetet e Pollogut, Gostivari dhe Tetova, edhe këtë vit nuk do të ndriçojnë për festat e fundvitit, ngase paratë për këtë qëllim janë dedikuar për qëllime humanitare. Komuna e Gostivarit ka vendosur që të ndajnë mjete në mënyrë simbolike në vlerë prej 1 milion e 500 mijë denarëve për zbukurimin e qytetit për shkak të festës së Vitit të Ri. Kësisoj, pritet që Komuna e Gostivarit të zbukurojë vetëm pjesën qendrore, kurse mjetet tjera do të destinohen për blerjen e 100 tabletave për nxënësit me status të rrezikuar social, të cilët kanë patur vështirësi për të ndjekur mësimin online gjatë kohës së pandemisë.

“Komuna e Gostivarit, në buxhetin e saj kishte paraparë për zbukurimin e qytetit mjete në vlerë prej 1 milion e 500 mijë denarë. Mirëpo, ne vendosëm që një shumë e caktuar të shkojë për blerjen e 100 tabletave për nxënës, të cilët vijnë nga familje me status të rrezikuar social, kurse do të ketë një stolisje shumë simbolike në qendër të qytetit, dhe me këtë dëshirojmë të dërgojmë mesazh se si duhet të veprohet në kohë pandemie, kur kemi shumë më pak mjete apo të hyra se sa viteve të kaluara”, thonë nga Komun e Gostivarit.

Viti që po e lëmë pas për pothuajse tërë popullatën botërore shkaktoi probleme të shumta, ku krahas aspektit shëndetësor, shumë njerëz u përballën edhe me humbje të vendeve të punës dhe me probleme në aspektin financiar. Nga Komuna e Gostivarit shpresojnë që ky vit të kalojë sa me më pak pasoja dhe njerëzit vitin e ardhshëm t’i kthehen normalitetit. Edhe qendra e Tetovës nuk do të dekorohet për festat e fundvitit, kurse mjetet financiare të parapara për këtë do të shkojnë në luftën me virusin korona dhe programe sociale. Në buxhetin e Komunës së Tetovës për zbukurimin e qytetit ishin ndarë rreth 3 milionë denarë, ndërkaq me përkeqësimin e situatës me virusin korona, këto mjete do të dedikohen diku tjetër, sepse kështu kanë vlerësuar autoritetet komunale.

“Mjetet të cilat paraprakisht ishin paraparë për dekorimin e qytetit do të ridestinohen në luftën me Kovid-19 dhe programe sociale, bëhet fjalë për rreth 3 milionë denarë”, thonë nga Komuna e Tetovës. Ky është viti i dytë që Komuna e Tetovës ridestinon mjete për qëllime të tjera dhe jo për zbukurimin e qytetit në prag të festave të fundvitit. Vitin e kaluar mjetet për këtë qëllim u drguan për nevojtarët e tërmetit katastrofal në Shqipëri. (koha.mk)

Read Previous

Vjen lajmi i shumëpritur nga amerikanët: Vaksinimi kundër COVID-19 mund të fillojë të hënën ose të martën

Read Next

Gjendja e krizës, deri më 30 qershor?

%d bloggers like this: