Nuk kanë fund telashet me ujin në Tetovë

Qytetarët tashmë një kohë të gjatë janë duke u ankuar për mungesën e ujit pasi që siç dihet dy herë radhazi kishte defekte në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë në Tetovë dhe tashmë kjo është hera e tretë

Urim HASIPI
Tetovë, 17 prill – Tetovarët vazhdojnë të vuajnë për ujë të pijshëm. Banorët e këtij qyteti pothuajse dy muaj janë pa furnizim me ujë të pijshëm. Më shumë problem në këtë periudhë me mungesë të ujit kanë qytetarët në lagjet që ndodhen në pjesën e lartë të qytetit të Tetovës. Ata thonë se është e paimagjinueshme që në këtë kohë të mos kenë kushtin elementar për jetë siç është uji. Në këto lagje këtyre ditëve vërehen qytetarë të cilët furnizohen me ujë nga çezmat publike apo lagje të tjera siç është lagjja Çarshia e Epërme. Ankesa e tyre është se ata paguajnë faturat e ujit dhe shërbimin nuk e marrin. “Kjo është e pakuptueshme, sepse në këtë periudhë të vitit nuk kemi patur asnjëherë problem me ujin, dhe kjo që ndodh tash është e turpshme dhe katastrofë sepse u tha që ujësjellësi është rregulluar dhe ku është problemi nuk e dimë. Lodhemi duke bartur ujë nga lagjet tjera për nevojat ditore sepse krahas nevojës uji tashmë është i pashmangshëm për të mbajtur higjienën në këtë kohë me virusin korona. Ne paguajmë faturat e ujit dhe ujë nuk kemi”, thonë të revoltuar banorë të kësaj zone të Tetovës.

Kjo situatë në këto lagje zgjat gati se dy muaj dhe kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet lokale të Komunës së Tetovës për këtë gjendje. Ndërkaq, nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë theksojnë se ka rënie të sasisë të ujit në burime. “Shkaku i zvogëlimit të prodhimit të ulët të ujit tek burimet ne lokalitetet Kodra e Diellit dhe Leshnicë, ka rënie në sasinë e ujit në sistemin e ujësjellësit të qytetit të Tetovës. Sasia momentale e ujit të pijshëm është 280 litra për sekondë dhe për momentin kjo sasi nuk është e mjaftueshme për furnizim të pandërprerë të qytetit me ujë të pijshëm”, theksojnë nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë.

Advertisement

Për shkak të gjendjes së krijuar, kjo ndërmarrje ka vendosur edhe restrikcione të furnizimit me ujë të pijshëm. “Prandaj, me qëllim që të sigurohet furnizim optimal me ujë për të gjithë qytetarët në të gjithë pjesët e qytetit gjatë muajit të Ramazanit, NPK do të fillojë me restrikcione të planifikuara të ujit, sipas orarit si vijon, edhe atë nga ora 13:30 – 16:30 dhe nga ora 22:30 – 01:30”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë.

Qytetarët tashmë një kohë të gjatë janë duke u ankuar për mungesën e ujit pasi që siç dihet dy herë radhazi kishte defekte në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë në Tetovë dhe tashmë kjo është hera e tretë që banorët e Tetovës për një periudhë të shkurtër të ballafaqohen me këtë problem jetik. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like