Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Kobrës dhe të tjerëve për rastin e vrasjes së të riut në Prizren

Estimated read time 3 min read

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Jesmir Badallaj dhe Roland Susuri, duke konfirmuar kështu aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tyre.

Në këtë rast, Kobra dhe të tjerët akuzohen për rastin e vrasjes së V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

“REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës… të paraqitura nga av. Florent Latifaj mbrojtës i të pandehurit Dibran Hoxha, av.Jeton Rekathati, mbrojtës i të pandehurit Jesmir Badallaj, av.Sahadete Gashi, mbrojtëse e të pandehurit Roland Susuri, si të pabazuara”, “Në këtë çështje penale do të vazhdohet me procedim sipas kësaj aktakuze pasi që ky Aktvendim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në aktvendim.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave janë të pabazuara, pasi që në rastin konkret provat mbi të cilat mbështetet aktakuza janë të pranueshme dhe ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë që kërkohet në këtë fazë të procedurës.

Në këtë vendim, thuhet se gjykata ka konsideruar si të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se provat janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që nuk kanë qenë prezent gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Sipas gjykatës, një procedim i tillë i rastit nga ana e Prokurorisë është bërë duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë gjithë kohës hetimi ka qenë nën mbikëqyrjen e gjykatëses së procedurës paraprake dhe se i tillë hetimi është i ligjshëm.

Po ashtu, aty thuhet se edhe pretendimi i mbrojtjes që deklaratat e marra nga dëshmitarët të veçohen nga procedura pasi që nuk provojnë element të veprës penale, sipas gjykatës është i pabazuar pasi që fuqia provuese e këtyre provave do të vërtetohet gjatë procesit gjyqësor.

Advertisement

Gjykata po ashtu ka sqaruar se me provat e dorëzuara deri më tani në këtë proces gjyqësorë, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerës të veprave penale për çka edhe po ngarkohen.

Ndryshe në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like