Hasan Prishtina (1873-1933), ideolog i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar…

Estimated read time 5 min read

Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit.

Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Ka me m’ shtrue vetëm vdekja”. Kredoja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica, (zona spartane të Shqipërisë ndër shekuj), bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës. Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare.

Emri i Hasan Prishtinës është emër nderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij i përkasin Atdheut, gjithandej ku bukës i thuhet bukë, ujit ujë dhe kripës, kripë… (A.Q.)

Hasan Prishtina u lind në vitin 1873, në Vushtrri. Mësimet e para dhe disa klasë të shkollës së mesme i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale, ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge e u njoh me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos.

Në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, gjuhën çerkeze, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.

Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do ishte vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar. Ai u bë njëri ndër protagonistët kryesorë që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht nga Shqipëria.

Advertisement

Ky veprimtar i palodhur u bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës në parlamentin turk. Njëkohësisht, ai dha një kontribut edhe në Revolucionin Xhonturk. Dihet se trojet shqiptare ishin ndër vatrat kryesore të këtij revolucioni, që rezultoi me kthimin e Kushtetutës (Hyrietit) dhe me disa premtime boshe. Kjo lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: Liri, Barazi, Vëllazëri, e cila u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike . Në kohën kur u formua Klubi “Bashkimi” i Shkupit, Hasan Prishtina do të ishte pjesë e këtij klubi. Mirëpo, Turqit e Rinj penguan veprimtarinë e klubeve dhe të shoqërive shqiptare. Edhe kësaj radhe për shqiptarët nuk pat asgjë të re, përveç shtypjes dhe shkatërrimeve. Kjo e mundonte shumë Hasan Prishtinën. Sidomos, në kohën e ekspeditave të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në vitin 1909, e acaruan gjendjen edhe më shumë . Situatë e tillë mbretëroi edhe në pranverë të vitit 1910. Vala kryengritëse shqiptare kundër Turqve të Rinj u shua me gjak. Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë parlamentin. Kështu, ai vendin e deputetit e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai duke qenë një nga përfaqësuesit më të përparuar dhe më largpamës të forcave atdhetare, qysh në fillim, së bashku me deputetët shqiptarë si: Ismail Qemali, Shahin Kolonja etj., formojnë grupin opozitar.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like