BE ndan 2 milionë euro për ristaurimin e objekteve historike në Janjevë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot ka ndarë 2 milionë euro për ruajtjen dhe rigjenerimin e qendrës historike të Janjevës. Shefi i kësaj zyre, Tomash Szunyog, gjatë ceremonisë së sotme ka thënë se është i impresionuar nga fryma e bashkëpunimit në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë bashkë në Janjevë. Tutje, ai ka sqaruar se fondi i ndarë sot, është pjesë e Projektit “IPA 2020”. “Kemi ardhur në Janjevë që të shohim përreth këtij vendi multi-kulturor, multi-etnik dhe me histori të veçantë.

Jam i impresionuar nga kjo frymë e bashkëpunimit në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë bashkë dhe po ashtu jam informuar sot me sfidat në infrastrukturë, furnizimin me ujë, me energji elektrike, çështje të sigurisë dhe të tjera. Jam i bindur që së bashku, komuniteti ndërkombëtar, qeveria, komuniteti lokal mund të shpëtojnë këtë vend, sepse është kontribut për një vend multikulturor. Ne si Bashkim Evropian do të vazhdojmë të financojmë dhe përkrahim projektin e fokusuar në trashëgiminë kulturore. Planifikojmë të ndajmë 2 milionë euro nga program ynë për ristaurim. Ky do të jenë pjesë e Projektit IPA 2020, të cilin duhet ta diskutojmë me Qeverinë apo Parlamentin se si ta miratojmë nga ana e Kosovës”, ka deklaruar ai. Vizitës së sotme në Janjevë i është bashkuar edhe ambasadorja kroate në Kosovë, Daniella Barishiq, e cila së bashku me ambasadorin Szunyog dhe përfaqësues të institucioneve tjera, ndërkombëtare dhe vendore, janë takuar edhe me përfaqësues të komunitetit lokal dhe kanë vizituar disa nga objektet më domethënëse të trashëgimisë kulturore në Janjevë. Barishiq ka deklaruar se të gjithë së bashku duhet të mbrojnë vlerat dhe pasuritë e Janjevës. “Meqë kam gati dy vite këtu, kam qenë disa herë në këtë vend dhe duhet të them se janë disa sfida, të cilat po përpiqemi t’i zgjidhim për disa vite dhe mendoj se kjo vizitë e përbashkët do të shtyjë përpara zgjidhjen e sfidave dhe problemeve në Janjevë.

Siç tha kolegu im, Szunyog, mendoj se ky qytet i bukur për shumë vite ka kultivuar multikulturalitetin dhe jetën e përbashkët fetare mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdohet një gjë e tillë, por sigurisht me ndihmën e të gjithë neve, posaçërisht nga fondet e BE-së dhe UNDP-së. Meqë jam nga Kroacia, më duhet t’ju tregoj diçka. Kur e përmend Janjevën në Zagreb, thonë menjëherë ah po, është nga Kosova. Pasuritë e Janjevës janë PR shumë i mirë edhe për Kosovën dhe mendoj se ne të gjithë mundemi dhe duhemi të punojmë së bashku në mënyrë që të kemi ekonomi të qëndrueshme këtu”, ka thënë ajo. Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Liburn Aliu, në ceremoninë e sotme ka thënë se objektet historike dhe kulturore në Janjevë duhet të mbrohen dhe ristaurohen. Sipas tij, Janjeva duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë. “Është e rëndësishme që objektet që i vizituam, të cilat përfaqësojnë elementet kulturore dhe identitetin historik të Janjevës të ruhen, të mbrohen, të ristaurohen ato shtëpi dhe elementet kulturore të Janjevës të jenë të qasshme dhe të mbijetojnë më gjatë. Duhet parë në kontekst më të gjerë. Nuk duhet parë vetëm brenda Janjevës, por duhet të shndërrohet Janjeva brenda një plani të përgjithshëm zhvillimor të turizimit. Unë besoj që me një trajtim më përfshirës hapësinor ku Janjeva do të ishte pjesë e një plani më të gjerë, do të kishim zhvillim të qëndrueshëm duke pasur parasysh edhe elementet kombëtare edhe ato të mjedisit në këtë vend”, ka thënë ai. Falenderues për të gjitha investimet e komunitetit ndërkombëtar në Janjevë është shprehur kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka deklaruar se sfidat e kësaj zone janë produkt i gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.

“Këta sfida në Janjevë janë produkt i gjendjes socio-ekonomike në Kosovë dhe normalisht me impakt të veçantë në Janjevë, për shkak të diversitetit kulturor dhe për shkak të trashëgimisë kulturore që ka qytetëza e Janjevës. Jo rastësisht komuna para dy vite bashkë me zyrën e BE-së në Kosovë është përpjekur që të kthehet në ristaurimin e objekteve që ruajnë trashëgiminë kulturore të Janjevës dhe unë përgëzoj të gjithë ata që kanë ndikuar që ky projekt të marrë formën e finalizimit”, ka thënë ai. Vizitës së sotme në Janjevë iu është bashkuar edhe koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson, e cila ka thënë se plani për ristaurim në Janjevë duhet të shoqërohet me investime në infrastrukturë, furnizim me ujë dhe menaxhim të mbeturinave. Projekti prej 2 milionë eurosh për ruajtjen dhe rigjenerimin e qendrës historike të Janjevës është shtesë e fondit 1.4 milion euro të ndarë nga Qeveria, me Zyrën e UNDP-së në Kosovë si partnere në implementim./kp

RTV21.tv

Read Previous

Vazhdon numri tejet i ulët i të infektuarve me Covid në 24 orët e fundit…

Read Next

Osmani ia kërkoi dorëheqjen, Daka e refuzon

%d bloggers like this: