Zendeli flet për ngjarjet e Gostivarit (Video)

Estimated read time 4 min read
Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, thotë se institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të japin përgjigje përse ndodhën ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997 në Gostivar. Gjatë një prononcimi për gazetën LAJM, deputeti nga Gostivari Fadil Zendeli flet për aksionin e dhunshëm të policisë maqedonase 24 vite më parë, për largimin e flamurit kombëtar shqiptar nga ndërtesa e Komunës, gjatë të cilit u vranë 3 shqiptarë dhe u plagosën shumë të tjerë.

“Për mua 9 korriku ka domethënie të veçantë ashtu siç ka për çdo qytetarë të Gostivarit, por edhe për çdo shqiptarë sepse ngjarjet e Gostivarit ndërlidhesin me përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar shqiptarë këtu në Maqedoni. Unë personalisht kam qenë pjesmarrës i atyre ngjarjeve. Kam qenë pjesë e proceseve politike që janë zhvilluar në atë kohë në Gostivar edhe më gjërë. Atë mëngjes isha i zgjuar herët nga bashkëpunëtorët tanë sepse herët në mëngjes filluan arrestimet dhe burgosjet. Fillimisht është burgosur kryetari I komunës Rufi Osmani, kryetari i Këshillit, z.Dauti , por ka pas arrestime edhe të aktivistëve të kohës dhe ne që kemi qenë pjesmarrës të atyre proceseve herët në mëngjes kemi qenë të njoftuar dhe jemi larguar nga shtëpitë tona”, tha deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.

24 vite pas këtyre ngjarjeve të dhunshme, Fadil Zendeli është deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe pjesë e koalicionit me LSDM-në, parti e cila ishte në pushtet kur u përgjak Gostivari.
Por, Zendeli thotë se LSDM-ja tani është reformuar dhe se personat që kishin kurdisur dhunën në Gostivar, tani nuk janë pjesë e strukturave drejtuese të kësaj partie maqedonase.

“Procese politike zhvillohen. Personalisht kam qenë me z.Osmani fitues të zgjedhjeve të vitit 2009-2013 dhe personalisht në atë kohë nuk kemi pranuar në atë kohë të bëjmë koalicion me LSDM-në nga një arsye e thjeshtë, sepse LSDM në atë kohë ishte udhëhequr nga personazhi kryesor i dhunës së asaj kohe në Gostivar, Branko Cërvenkovski. Edhe unë edhe Rufi Osmani në atë kohë kemi qenë kundër një koalicionimi të tillë. Por, proceset politike ecin para. Nuk mund të kthehemi pas. Ka ndryshime edhe në LSDM edhe në partitë tjera. Ne si shqiptarë nuk mund të vendosim kush do të zgjidhet nga pala maqedonase, kush do ta marrë mandatin që të qeverise me institucionet dhe me shtetin. Jemi në koalicion me LSDM-në por dallon si male ajo që ka ndodhur para shumë vitesh në Gostivar. Por, institucionet duhet të japin përgjigje për dhunën që u përdor në Gostivar në atë kohë”, u shpreh deputeti Zendeli.

Advertisement

Ndonëse kanë kaluar më shumë dy dekada nga koha kur shqiptarët në Gostivar u vranë për përdorimin e flamurit kombëtar, Zendeli thotë se kjo çështje akoma nuk është rregulluar si duhet.

“Nuk jam i kënaqur me rregullimi e përdorimit të flamurit kombëtar. Me siguri duhet të ketë më shumë hapësirë se ato për qindjet 20 apo 50 që janë të Ligji për përdorimin e flamurit. Me siguri se ka hapësirë që flamuri kombëtar shqiptar të përdoret në institucionet shtetërore. Pala maqedonase akoma nuk treguar gatishmëri që flamuri shtetëror të reflektojë atë që është Maqedonia dhe derisa është kështu do të kërkojmë çështja e flamurit shtetëror të jetë çështje debate dhe të zgjidhet çështja e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptarë në Maqedoni”, tha deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli për gazetën LAJM.

Në ngjarjet tragjike të 9 Korrikut, u vranë tre shqiptarë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë që po protestonin në mënyrë paqësore kundër largimit të flamurit kombëtar shqiptarë nga godina e Komunës së Gostivarit. Policia maqedonase kishte arrestuar edhe shumë veprimtarë, në mesin e të cilëve edhe kryetarin e atëherëshëm të Gostivarit, Rufi Osmani, i cili u dënua me burg. Ngritjen e flamurit shqiptarë në selinë e Komunës, Qeveria e atëhershme e Branko Cërvenkovskit dhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e kishte cilësuar si kërcënim ndaj sovranitetit të shtetit./Gazeta LAJM

Advertisement
Advertisement

You May Also Like