VMRO-ja kërkon dorëheqjen e Spasovskit

VMRO-DPMNE-ja sot kërkoi nga Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski të japë dorëheqjen menjëherë, duke marrë përgjegjësinë e tij për arratisjen e ish-shefit të DSK-së Sasho Mijallkov, transmeton Portalb.mk.

“Përderisa Spasovski azhurnonte anëtarësinë nëpër shtëpi, Sasho Mijallkov i iku para syve. Edhe pse institucionet qysh të shtunën e dinin se kishte rrezik të arratisej, Ministria e Brendshme 24 orë nuk ndërmori asgjë dhe pritën që të ikte” thonë nga VMRO-DPMNE në një kumtesë, duke iu referuar informacioneve të lëshuara dje nga Prokuroria për periudhën kur Mijallkovi me gjasë ishte arratisur.

Përgjegjësia e Spasovskit gjendet, siç thonë nga VMRO-DPMNE-ja, në “faktin që Spasovski dinte për arratisjen e Mijallkovit dhe nuk ndërmori asgjë”, kështu që ata konkludojnë se “Spasovski me vetëdije e la Mijallkovin të arratisej”.

Opozita edhe një herë theksoi se ekziston dyshim i bazuar për marrëveshje ndërmjet Zaevi-Spasovskit-Mijallkovit për arratisjen e tij.

Nga VMRO-DPMNE-ja dje u dhanë autoriteteve 24 orë kohë që të gjejnë Mijallkovin, në të kundërtën kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë.

Ndryshe, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur të dielën, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB dje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku./Nmk-post/

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like