Trump apo Biden, sot vendos Amerika!

E gjithë vëmendja sot është e përqendruar te zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara se sa njerëz do të dalin për të votuar, sa shpejt do të dihen rezultatet dhe, më në fund, kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit.

Presidenti Donald Trump ashtu edhe sfiduesi i tij, ish Nënpresidenti Joe Biden, deri në orët e fundit kanë argumentuar përpara votuesve se përse e meritojnë mandatin e ardhshëm katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Votuesit amerikanë sot më 3 nëntor vendosin nëse do t’ia japin mundësinë për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë, presidentit aktual, Donald Trump apo ish-nënpresidentit Joe Biden. Kjo është hera e parë që të nominuarit për president janë në të 70-at e tyre.

Zgjedhje në kohë pandemie

Një e panjohur e madhe është pjesëmarrja në votime. Sa njerëz do të shkojnë të martën fizikisht në qendrat e votimit, pa marrë parasysh frikën e koronavirusit, që ka lënë më shumë se 230,000 të vdekur në SHBA? Sipas organizatës Projekti Zgjedhor, deri tani kanë votuar më shumë se 93 milionë njerëz, rreth 67 përqind e të gjithë atyre që votuan në vitin 2016.

Këto zgjedhje presidenciale madje janë të parat që po zhvillohen teksa pandemia vdekjeprurëse e koronavirusit ka prekur secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhjet e vitit 1918 për Kongres, të mbajtura gjatë kohës së pandemisë së Gripit Spanjoll, kanë rezultuar me ulje të shkallës së votimit për 20 për qind – ndonëse edhe fakti që më shumë se 2 milionë burra kanë luftuar në Luftën e Parë Botërore po ashtu ka pasur ndikim.

Deri në kohën kur republikani, Warren G. Harding ka fituar zgjedhjet e vitit 1920, pandemia ka kaluar.

Të dyja kampet pretendojnë fitore

Të dyja fushatat pretendojnë se e shohin qartë rrugën drejt fitores. Jason Miller, këshilltar i fushatës së Presidentit Trump, thotë se zoti Trump e ka zgjeruar bazën e mbështetjes veçanërisht midis meshkujve afrikano-amerikanë dhe votuesve me prejardhje latinoamerikane si dhe në shtetet që historikisht kanë qenë baza të demokratëve.

“I gjithë elektorati ka ndryshuar. Koalicionet janë të ndryshme këtë herë. Fakti që Joe Bidenit iu desh të bëjë fushatë në Minesota, një shtet që republikanët nuk e kanë fituar që nga viti 1972, tregon se sa të shqetësuar janë ata,” thotë Jason Miller, këshilltar i fushatës së Presidentit Trump. Demokratët thonë se rruga drejt fitores po ndryshon në favor të tyre, sepse shtetet normalisht republikane tani janë duke u kontestuar.

Dyshja Joe Biden-Kamala Harris, kanë vizituar kohët e fundit shtetet Teksas, Xhorxhia dhe Ajova, të cilat në vitin 2016 mbështetën kandidatin Trump.

Anita Dunn, këshilltare e fushatës Biden, thotë se pjesëmarrja në votime do të thyejë rekorde sepse njerëzit janë të motivuar për të parë ndryshime.

“Nëse shikoni entuziazmin e madh që kemi parë në votimin e hershëm dhe votimin rekord deri tani, kjo tregon se njerëzit do të votojnë. Dhe ne do ta dimë në Ditën e Zgjedhjeve se ndoshta ka dalë të vojë një numër rekord njerëzish, sepse ata duan ndryshim,” thotë Anita Dunn, këshilltare e fushatës së z.Biden.

Ish-nënpresidenti amerikan është konkurrues në disa shtete që konsiderohen kyçe, dhe të cilat i ka fituar Trump më 2016, përfshirë Xhorxhian dhe Arizonan.

Trump, në anën tjetër, mund të fitojë duke ruajtur territorin në të cilin ka fituar më 2016, ndonëse shpresat e tij për rizgjedhje varen nga fitoret në shtetet si Florida dhe Pensilvania.

Sondazhet e opinionit publik e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

Porositë e fundit nga Trump dhe Biden

Në ditën e tij të fundit të fushatës në përpjekje për të bindur votuesit që ta zgjedhin edhe për katër vjet të tjera në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se në mandatin e tij të dytë, “do të thajmë kënetën e Uashingtonit dhe do të shpëtojmë ëndrrën amerikane”.

Në Karolinën e Veriut Presidenti e vuri theksin tek një rimëkëmbje ekonomike mes pandemisë së koronavirusit, duke premtuar “se do të shpërndajmë në masë vaksinën brenda disa javësh”.

Zoti Biden tha të hënën në Klivlend të Ohajos, se “hapi i parë për të mposhtur virusin është fitorja ndaj Donald Trump-it”.

Pandemia ka lënë në hije çështje të tjera në fushatën presidenciale, ndërsa rastet e COVID-19 janë rritur javët e fundit në shumë nga shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Advertisement

Sondazhet në shkallë kombëtare tregojnë se ish-nënpresidenti ka një epërsi prej tetë për qind, por diferenca është shumë më e vogël në shtetet e pavendosura që do të përcaktojnë fituesin.

Shpallja e rezultateve

Rezultatet nuk pritet të shpallen zyrtarisht për disa javë nga dita e zgjedhjeve. Afatet ndryshojnë nga shteti në shtet. Disa pritet t’i bëjnë ato të ditura brenda një jave, por shumë prej tyre duhet të presin për shpallejn e rezultateve përfundimtare deri në fund të nëntorit apo në fillim të muajit dhjetor.

Prej shumë vitesh, fituesi ka qenë i qartë para shpalljes së rezultateve zyrtare për shkak të parashikimeve të bëra nga organizatat mediatike bazuar në të dhënat nga zonat e votimit.

Por vendimtare do të jetë Kolegji Elektoral, që përcakton fituesin. Pas votimeve, të 538 anëtarët e Kolegjit Elektoral në Shtetet e Bashkuara mblidhen në kryeqytetet e tyre respektive çdo katër vjet, pas mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu që të shpallin fituesin.

Një kandidat presidencial duhet të fitojë një shumicë absolute të votës së Kolegjit – apo 270 vota nga 538 – për të fituar.

Ky sistem është krijuar bashkë me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1787.

Krijuesit e shtetit amerikan e kanë konsideruar këtë sistem si kompromis në mes të të zgjedhurit të presidentit në mënyrë direkte dhe të zgjedhurit përmes anëtarëve të Kongresit – qasje që janë refuzuar dhe janë konsideruar jomjaftueshëm demokratike.

Që atëherë, qindra amendamente janë propozuar në Kongres, me qëllim të ndryshimit apo zhbërjes së Kolegjit Elektoral, mirëpo asnjëra nuk ka rezultuar me sukses.

Kush janë 538 personat që votojnë?

Shumica e këtyre personave janë zyrtarë të zgjedhur në rrafshin lokal, ose liderë partish, mirëpo emrat e tyre nuk shfaqen në fletëvotime, dhe identitetet e tyre kryesisht janë të panjohura për votuesit.

Secili shtet ka aq përfaqësues sa ka në Dhomën e Përfaqësuese dhe Senat, dy dhomat e Kongresit amerikan. Numri i përfaqësuesve varet nga popullsia e një shteti.

Kalifornia, shembull, ka 55 përfaqësues, Teksasi 38, derisa Alaska, Delauere, Vermont dhe Uajoming kanë nga tre secila prej tyre.

Kushtetuta e lë në dorën e shteteve që të zgjedhin sesi do të votojnë përfaqësuesit.

Në secilin shtet, përveç Nebraskas dhe Maines, kandidati që fiton shumicën e votës popullore, në teori, fiton të gjitha votat e përfaqësuesve të një shteti. Situata e jashtëzakonshme e vitit 2016, që nënkupton se humbja e votës popullore nuk do të thotë humbje në garë, nuk ka qenë e pashembullt.

Pesë president janë ngritur në detyrë në këtë mënyrë. John Quincy Adams ka qenë i pari më 1824 kundër Andrew Jackson.

Së fundmi, në zgjedhjet e vitit 2000, rezultati zgjedhor është bllokuar në Florida në mes të George W. Bushit dhe demokratit Al Gore. Gore ka fituar gati 500,000 vota më shumë në nivel kombëtar, mirëpo Floridën e ka fituar Bush, që ka rezultuar me fitoren e këtij të fundit me 271 vota.

Përfaqësuesit e Kolegjit Elektoral do të mblidhen në shtetet e tyre më 14 dhjetor dhe do të votojnë për presidentin dhe nënpresidentin.

Pse kjo datë?

Ligji amerikan thotë se ata “takohen dhe votojnë në të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”.

Më 6 janar të vitit 2021, Kongresi do të certifikojë fituesin, i cili bën betimin më 20 janar. /REL/VOA

Advertisement
Advertisement

You May Also Like

+ There are no comments

Add yours