Toshkovski: Pushteti po përgatit skenarë për cenimin e procesit zgjedhor në Tetovë e Gostivar

Estimated read time 3 min read

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski në intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se vendimi i Qeverisë për të mos lejuar ndërrimin e kryeshefit të SPB-së në Tetovë është indikacion se pushteti po përgatitë skenarë për cenimin e procesit zgjedhor. Sipas tij, akuzat për skenarë rus ndaj opozitës në fakt janë hedhje hi syve të opinionit sa për të mbuluar veprimet që ata planifikojnë përmes bllokadës së zgjidhjeve kadrovike dhe sistematike në Qeveri. Toshkovski tha se as ai dhe as zëvendësministri plotësues nuk kishin propozuar emër konkret në Qeveri për shefin e policisë në Tetovë, por thjeshtë e kishin kërkuar si pozitë për të cilin do të propozonin më vonë një emër konkret.

“Pyetja që duhet shtruar është se pse Qeveria solli një vendim të tillë. Pse ky vendim u mor që vetëm SPB Tetovë të mos jetë pjesë e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qeveria ka sjell një vendim të tillë. Pse Qeveria vendosi të shkel ligjin dhe para kësaj nuk dha asnjë arsyetim juridik. Pse? Unë nuk kërkova emër dhe mbiemër dhe as zëvendësministri plotësues nuk kërkoi. Ne me nënshkrime të lidhura kërkuam bashkërisht ndryshime të sistematizimit. Kur Qeveria nuk të lejon të vendosësh për vend pune, jo për emër konkret, atëherë patjetër se ka diçka të dyshimtë këtu”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Për Toshkovskin mbetet e pakuptimtë se si një muaj e gjysmë para ardhjes së tij në krye të MPB-së, personi që sot është në krye të SPB Tetovës u largua nga një pozitë më e lartë në polici dhe u emërua për kryeshef. Sipas tij, rajoni i Tetovës dhe Gostivarit do të jetë i mbipopulluar me polici në ditën e zgjedhjeve me qëllim pamundësimin e çdo keqpërdorimi të mundshëm nga ana e pushtetit.

Advertisement

“Mekanizmat e mia bazohen në ligj të cilat mundësojnë parakushte të duhura për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Maksimalisht ta përforcojmë atë pjesë (Tetovë dhe Gostivar) me polici, të kërkojmë ndihmë nga OSBE ODIHR dhe të mbikëqyret me theks të veçantë edhe nga vëzhguesit e tyre”, shtoi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Të mërkurën Gjykata Administrative ktheu në fuqi të gjitha vendimet e Toshkovskit për të cilat Qeveria kishte marrë vendim për abrogimin e tyre. Dy nga tre vendimet që organi ekzekutiv ia rrëzoi Toshkovskit kishin të bënin me sistematizimin, ndërsa një vendim i referohej një konkursi të brendshëm në MPB./Alsat.mk

Advertisement
Advertisement

You May Also Like