Takim Xhaferi – Ulman Marti: E vlerësojmë lartë mbështetjen e Konfederatës Zvicerane për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut

Estimated read time 2 min read

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës në vend, Veronik Ulman Marti, në të cilin u konfirmua përkushtimi i dy vendeve për bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe miqësi mes dy shteteve dhe shprehën kënaqësinë për jubileun 30-vjetor të marrëdhënieve diplomatike, që shënohet pikërisht këtë vit, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.

Në takim Xhaferi theksoi se në 30 vitet e kaluara, është vendosur dhe zhvilluar bashkëpunim i shkëlqyeshëm në të gjitha nivelet – Qeveri, Kuvend dhe qytetarë, si dhe komuniteti ynë i shumtë që jeton në Zvicër është një urë e fuqishme lidhëse mes dy vendeve.

Më tej, ai theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson lartë gatishmërinë e Konfederatës Zvicerane për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shfaqur në Strategjinë për mbështetje.

“Si donatori më i madh dypalësh për vendin tonë që nga pavarësia e deri sot, mbështetja dhe ndihma zhvillimore e Zvicrës për Maqedoninë e Veriut e ndihmon jo vetëm zhvillimin demokratik të vendit, por është edhe plotësuese e integrimit evropian”, ka thënë Xhaferi.

Advertisement

Ambasadorja Ulman e uroi kryeministrin Xhaferi për zgjedhjen e tij, duke theksuar se Maqedonia e Veriut edhe një herë tregoi se është shembull i suksesshëm i një demokracie funksionale multietnike dhe se vendos standarde që duhet të ndiqen nga vendet tjera të rajonit dhe botës.

“Duke e përshëndetur përvjetorin e 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike, Ulman shprehu kënaqësinë që të dyja vendet kanë arritur shumë rezultate gjatë asaj periudhe dhe mund të krenohen me sukseset”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në takim u diskutua për çështje aktuale nga situata e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like