Shpërthimet vazhdojnë në Gaza – banorët pa qasje në internet e shërbime telefonike

Estimated read time 3 min read

Pas rritjes së shkallës së bombardimeve izraelite në mbrëmjen e së premtes ato po vazhdojnë edhe të shtunën e 28 tetorit.

Forcat izraelite thanë se në një nga netët më intensive të bombardimeve deri më tani, ajo kishte goditur 150 objektiva nëntokësore në pjesët veriore të Gazës, duke përfshirë ato që i quajti “tunele terroriste, hapësira luftarake nëntokësore dhe infrastrukturë shtesë”.

Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës, teksa ushtria izraelite ka thënë se është duke e “zgjeruar” operacionin tokësor në këtë enklavë të rrethuar, raporton BBC.

Njoftimi i ushtrisë izraelite është sinjal se forcat ushtarake të Izraelit janë edhe më afër pushtimit tokësor në Gazë, të cilat janë zotuar se do ta shkatërrojnë grupin militant Hamas, pas sulmeve që i ka kryer në tokën izraelite tri javë më parë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, numri i të vdekurve deri më tani është rritur në mbi 7 mijë – gjysma e tyre thuhet se janë fëmijë.

Ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Kjo rezolutë e prezantuar nga Jordania, në emër të një grupi të shteteve arabe, dënon të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë.

Në të bëhet thirrje për ofrim të ndihmës dhe mbrojtje të civilëve.

Për rezolutën kanë votuar 120 vende, 14 kanë qenë kundër dhe 45 kanë abstenuar.

Rezolutat e Asamblesë së OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, mirëpo bartin peshë morale.

Advertisement

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se ky është “momenti i së vërtetës”.

“E përsëris thirrjen time për armëpushim në Lindje të Mesme, për lirim pa kushte të të gjitha pengjeve dhe për ofrim të furnizimeve tejet të nevojshme. Secili duhet të mbajë përgjegjësi. Ky është moment i së vërtetës. Historia do të na gjykojë të gjithëve”.

Mbi 1.4 milionë njerëz në Gazë kanë ikur prej shtëpive të tyre, dhe gjysma besohet se janë nëpër shatorret e Kombeve të Bashkuara.

Qindra mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Gaza, pavarësisht thirrjeve të Izraelit për t’u evakuuar.

Javën e kaluar, Izraeli e ka mundësuar hyrjen e mbi 80 kamionëve me ndihmë nga Egjipti në Gazë, përfshirë 10 kamionë me ushqime, ilaçe dhe furnizime tjera.

Mirëpo kjo ndihmë për shumë organizata ndërkombëtare ka qenë një pikë uji në oqean, në krahasim me nevojat e banorëve në Gazë.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like

+ There are no comments

Add yours