Matura shtetërore do të zhvillohet mes datave 29 maj -14 qershor, dy lëndë të reja në listën e lëndëve zgjedhore

Të tre provimet eksterne të maturës shtetërore nga viti akademik 2020/2021 në sesionin e qershorit do të zhvillohen nga 29 maji deri më 14 qershor. Lista e lëndëve zgjedhore për provimin e tretë ekstern këtë vit është zgjeruar edhe me dy lëndë të tjera – informatikë dhe gjeografi, programet e provimit për të gjitha lëndët do të jenë me përmbajtje të shkurtuar, dhe ka një risi për detyrën projektuese që do të përmbajë një pjesë kërkimore, njofton Portalb.mk.

Deri në fund të vitit, maturantët duhet të paraqiten se me çfarë lloj mature do të japin provimin – maturë shtetërore (për maturantët që planifikojnë të regjistrohen në fakultet); maturë shkollore (për maturantët që nuk do të vazhdojnë arsimin e lartë dhe do të japin provimin para komisionit shkollor) dhe provimi përfundimtar (për maturantët nga arsimi profesional që nuk do të japin provimin e maturës shtetërore). Ata që do të paraqiten për maturën shtetërore duhet të rendisin edhe lëndët me të cilat do të hynë në provim.

Provimi i parë ekstern është i detyrueshëm – gjuha amtare (maqedonase, shqipe ose turke) dhe letërsia, dhe do të jepet më 29 maj 2021. Provimi i dytë ekstern është zgjedhje midis një gjuhe të huaj dhe matematikës. Dhënia e provimit të gjuhës së huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose rusisht) është planifikuar për më 5 qershor, kurse më 14 qershor është testi për ata që do të zgjedhin matematikën. Më 11 qershor do të zhvillohet provimi i tretë ekstern, për të cilin maturantët mund të zgjedhin midis 10 lëndëve (estetikë, filozofi, kimi, fizikë, biologji, histori, sociologji, biznes dhe për herë të parë për këtë maturë shtetërore – informatikë dhe gjeografia).

Advertisement

Qendra Shtetërore e Provimit (DIC) javën e kaluar formoi komisione, të cilat do të përgatisin pyetjet për provimet e dy lëndëve të reja. Për të qenë në listën e provimeve të maturës, është e nevojshme që një lëndë e caktuar të ndiqet për të paktën dy vjet me një numër të caktuar orësh. Informatika është futur edhe për shkak se është e kërkuar nga nxënësit, sepse shumë prej tyre vitet e kaluara janë interesuar për fakultetet në fushën e teknologjive të informacionit.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like