Liverpool paralajmëron Bayernin për Salah: Nuk është në shitje!

Drejtuesit e Liverpoolit paralajmërojnë krerët e Bayernit të Mynihut se Momo Salah nuk preket. Golashënuesi më i mirë në Premier League me 16 gola ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e shumë klubeve me emër në Kontinentin e Vjetër, megjithatë kësaj liste së fundmi i është shtuar edhe ekipi i famshëm bavarez.

Mohamed Salah firmosi për klubin e mirënjohur nga Merseyside në 22 qershorin e vitit 2017 për 36,5 milionë stërlina, shifër që mund të ngjitet deri në 43 milionë pound me gjithë bonuse, duke thyer për kohën rekordin e klubit, që ishte vendosur që në vitin 2011 nga sulmuesi shtatlartë Andy Carroll, ndërsa në 2 korrikun e vitit pasardhës numri 11 i të kuqve zgjati akoma më shumë kontratën me klubin e Liverpoolit.

Që në sezonin e parë pas ardhjes nga Roma, Momo shënoi plot 44 gola në 52 ndeshje në të gjithë kompeticionet për “the reds”, duke kaluar Roger Hunt që kishte 42 dhe vetëm 3 gola më pak se sa rekordi i sulmuesit legjendar të Liverpoolit, Ian Rush, për t’u shndërruar më pas në një ndër pikat më të forta të ekipit të drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp.

Salah ka një meritë të jashtëzakonshme në titullin e Premier League-s si dhe Champions-in e fituar në vitin 2019, në Stadiumin “Wanda Metropolitano” të Madridit, ku të kuqtë mposhtën në finale Tottenham Hotspur me rezultatin 2-0. Një ecuri e tillë tepër pozitive si dhe golat e shumtë në të gjithë kompeticionet tërhoqën vëmendjen e Barcelonës dhe Realit të Madridit, megjithatë përveç dy gjigantëve të futbollit spanjoll tani interes për “faraonin” kanë shprehur gjithashtu edhe drejtuesit e Bayernit të Mynihut.

Të ndërgjegjshëm për rrezikun që iu kanoset drejtuesit e Liverpulit kanë reaguar menjëherë, duke iu kërkuar kolegëve të tyre te Bayerni për të qëndruar larg Salah. Të frikësuar nga një manovër e tillë e drejtuesve të ekipit bavarez krerët e klubit nga Merseyside kanë deklaruar se Mohamed Salah nuk është fare në shitje. Drejtuesit e Bajernit kanë shfaqur hapur interesimin e tyre nëpërmjet drejtorit ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge.

Kalle e ka quajtur me përkëdheli 28-vjeçarin egjiptian “Lionel Messi i Afrikës”, si për të konfirmuar zërat mbi një kalim të mundshëm të sulmuesit në Bundesligë, pikërisht në radhët e rekordmenëve të Gjermanisë. Sadio Mane dhe Mohamed Salah janë padyshim futbollistët më të cmuar që ka në gjirin e skuadrës trajneri shvab, me një vlerë në merkato prej afërsisht 120 milionë euro dhe kampionët në fuqi të Premiership-it anglez nuk kanë aspak ndërmend të heqin dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.

Advertisement

Aktualisht Salah paguhet 200.000 stërlina në javë te Liverpuli dhe sulmuesi egjiptian ka një kontratë që e lidh atë me të kuqtë deri në mesin e vitit 2023. Muajin e kaluar 28-vjeçari tha në disa media të ndryshme se dëshiron shumë që ta mbyllë karrierën e tij pikërisht në radhët e “the reds”, duke ndihmuar Liverpoolin për të fituar sa më shumë trofe që të jetë e mundur, megjithatë drejtuesit e Bayernit nuk janë stepur aspak nga një deklaratë e tillë.

Karl-Heinz Rummenigge ka thënë se për Bayernin do të jetë një nder vërtet shumë i madh për të marrë një futbollist si Salah. 65-vjeçari ka shtuar se Salah është Messi i Afrikës dhe me aftësitë që zotëron mund të luajë në skuadrat më të mira në glob, madje Kalle ka shkuar përtej duke thënë se me ato çfarë ka arritur Momo mund të krahasohet me gjërat që kanë bërë Ronaldo dhe Messi te Reali dhe Barça.

Salah i hapi rrugë spekulimeve në muajin dhjetor, kur në një intervistë deklaroi se nuk do të refuzonte një ofertë për t’iu bashkuar ndonjërit prej dy gjigantëve të Ligës Spanjolle. Rummenigge pritet t’ia delegojë të gjitha funksionet ish-portierit legjendar dhe kapitenit të famshëm të Bayernit Oliver Kahn, i cili ka një respekt të veçantë për trajnerin Jurgen Klopp dhe për hir të së vërtetës pavarësisht se ka fituar gjithçka mund të fitohej situata e trajnerit aktual Hans-Dieter Flick është ende shumë e paqartë, pasi në Gjermani po shtohen zërat që e japin 55-vjeçarin nga Heidelbergu te “mannschaft”-i në vendin e teknikut Joachim Low.

Salah ka realizuar 22 gola në 32 ndeshje në këtë sezon, në të gjithë aktivitetet, ndërkaq sulmuesi egjiptian është shpallur gjithashtu edhe golashënuesi më i mirë i Premier League-s në sezonet 2017-18 e 2018-19, respektivisht me nga 32 e 22 gola.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like