









Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ai nuk beson që duhet ndërmarrë masa ndaj ministrit të Qeverisë së tij, Goran Rakiq i cili u pa pranë protestuesve në pikat kufitare në veri, pas vendimit për reciprocitet në targa, shkruan Reporteri.net.
Kurti, tha se madje, se beson që Rakiq është përpjekur që situata të mos eskalojë.
“Unë kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq. Me të natyrisht se kemi dallime, por unë nuk mund të ankohem për komunikimin dhe bashkëpunimin me të, meqenëse ky ka qenë gjithmonë i rregullt dhe unë nuk e kam përshtypjen se ai ka shkuar tek pikat 1 dhe 31 që të marrë pjesë në protestë, që të organizojë të tjerët ose të eksalojë situatën.
Përkundrazi, me aq sa jam informuar unë dhe çka më ka treguar besoj se është përpjekur që situata të mos eskalojë, të mos ketë veprime të dhunshme . Besoj se nuk duhet të ndërmarr masa ndaj tij”, ka thënë Kurti në konferencë për media.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq mungoi edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë Kurti. /Reporteri.net