Koronavirusi po bëhet edhe më shqetësues në shumë vende të botës

Rritja e rasteve me COVID-19 ka rënduar sistemin shëndetësor në shumë shtete, ndërsa pandemia ka vrarë më shumë se tre milionë e 100 mijë persona në mbarë botën.

Ka arritur në mbi 146 milionë numri i njerëzve të infektuar në gjithë botën. Prej tyre 124 milionë janë shëruar. Aktualisht janë 19 milionë aktivë nga të cilët 109 mijë në gjendje kritike.

Spitalet në Indi kanë bërë thirrje që të furnizohen me oksigjen, teksa kriza shëndetësore në këtë shtet po përkeqësohet. Prej disa ditësh India po raporton mbi 330,000 infektime të reja ditore – shifra më e lartë brenda një dite që ndonjë shtet ka regjistruar – dhe mbi 2,000 viktima.

Dje më 23 prill u njoftuan 345 mijë të infektuar dhe 2621 të vdekur.

Shumë pjesë të shtetit kanë ashpërsuar masat, përfshirë Nju Dehlin si dhe shtetin verior Uttar Pradesh, që ka hyrë në izolim gjatë kësaj fundjave.

Brazili vazhdon me shifra të rënda viktimash, dje u raportuan mbi 2800 të vdekur.

Turqia vijon me shifra shqetësuese me rreth 50 mijë të infektuar në ditë dhe më shumë se 37 mijë të vdekur që nga nisja e pandemisë.

Ndërkohë, në Australi u vendos një izolim treditor për shkak të rritjes së infektimeve.

Ndërsa në anën tjetër Japonia, ka shpallur gjendje emergjente në Tokio dhe në tri rajone të tjera për shkak të rritjes së rasteve, masa që do të jenë në fuqi nga 25 prilli deri në 11 maj.

Advertisement

Në kontinentin Europian, Gjermania regjistroi 24 orë e fundit mbi 23,000 infektime. Lokomotiva e e ekonomisë së bllokut europian po rikthen sërish bllokimin kombëtar.

Vendimi erdhi pas miratimit të legjislacionit që forcon kompetencat e kancelares, Angela Merkel, në mënyrë që të jetë në gjendje të përballet me pandeminë e koronavirusit.

Projekt-ligji u miratua nga Bundestagu këtë javë pavarësisht reagimeve nga mijëra kritikë, të cilët dolën në rrugë në Gjermani.

Në thelb projekt-ligji përqendrohet në procesin e vendimmarrjes dhe zbatimit për të adresuar pandeminë covid-19 nga shtetet tek qeveria federale.

“Është e vështirë, rëndon mbi të gjithë ne, por është e nevojshme për një kohë të jemi me kufizime”, tha Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spann, ndërsa shtoi: “qëllimi është që ‘thyejmë’ valën e tretë të virusit dhe pastaj të hapemi gradualisht pa pasur problem”./noa.al

Advertisement
Advertisement

You May Also Like