Greqia llogarit dëmet, 70 mijë hektarë pyje të djegura

Estimated read time 2 min read

Me një degë peme të thyer, një banor i ishullit Evia lufton dëshpërimisht për të fikur zjarrin që po i drejtohet shtëpisë së tij.
Me dhjetëra të tjerë, të ndihmuar nga zjarrfikësit vullnetarë nuk ju binden urdhrave të autoriteteve për evakuim duke shprehur kritikat njëkohësisht se të gjithë fshatrat në veri të ishullit për rreth 6 ditë nuk u ndihmuan sa duhet me mjetet ajrore të fikjes së zjarrit.
“Për 40 vitet e ardhshme nuk do të kemi punë dhe në dimër do të mbytemi nga përmbytjet pa pyjet që na mbronin”, shprehen me lot në sy shumë banorë të kësaj zone.

Flakët tashmë kanë shkrumbuar mbi 55 mijë hektarë pyje me pisha, kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe kanë detyruar turistët dhe vendasit të largohen.
Deri në mesditën e së hënës zjarret kanë qenë të pakontrolluar në pjesën veriore të ishullit grek ndërsa një front tjetër flakësh regjistrohet edhe në fshatrat e jugut të tij.
Sipas zyrtarëve të shërbimit zjarrfikës, temperatura nga flakët në ishull është aq e lartë sa fluturimet e 17 avionëve zjarrfikës dhe helikopterëve që po operojnë janë të pamjaftueshme. Autoritetet kanë evakuuar mbi 2500 banorë të cilët janë dërguar në vende të sigurta me anije.
Deri në mesditën e së hënës, vlerësohet se janë djegur në gjithë vendin mbi 70 mijë hektarë pyje, kur mesatarisht digjen prej vitit 2008 çdo vit gati 1700 hektarë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like