Zelensky e sfidon Trumpin: Nëse ka plan për ta ndalur luftën, duhet të na tregojë sot

Estimated read time 2 min read

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, duhet ta paraqesë planin e tij për përfundimin e shpejtë të luftës me Rusinë, duke paralajmëruar se çfarëdo propozimi duhet ta shmangë shkeljen e sovranitetit të Ukrainës.

“Nëse Trumpi di si t’i japë fund luftës, ai duhet të na tregojë sot” – tha Zelensky në një intervistë për “Bloomberg” të mërkurën në Kiev. “Nëse ka rreziqe ndaj pavarësisë ukrainase, nëse ne e humbim shtetësinë – duam të jemi të gatshëm për këtë, duam ta dimë” – shtoi ai.

Ish-presidenti amerikan, i cili po prin në sondazhe para presidentit Joe Biden para zgjedhjeve të nëntorit, është zotuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në kohën e inaugurimit të tij në pushtet në janar.

Në debatin televiziv të javës së kaluar, Trumpi pati qortim për shpenzimin e miliarda dollarëve në mbrojtje të Ukrainës, duke thënë se ky shtet “nuk po e fiton luftën”.

Në një intervistë që zgjati gati një orë, presidenti ukrainas i vajtoi vonesat në dërgimin e armëve nga aleatët perëndimorë dhe tha se ai ishte “potencialisht i gatshëm” për t’u takuar me Trumpin e për t’i dëgjuar propozimet e ekipit të tij.

“Ata nuk mund t’i planifikojnë jetën time dhe jetën e popullit tonë e fëmijëve tanë. Ne duam të kuptojmë nëse në nëntor do ta kemi përkrahjen e fuqishme të ShBA-së, ose do të jemi vetëm” – tha më tej Zelensky.

Advertisement

Ai gjithashtu e sfidoi narrativën se forcat ukrainase po humbin në luftë, duke e përgënjeshtruar përdorimin e termit “ngërç” për ta përshkruar konfliktin. Sipas tij, forcat ukrainase janë më mirë të pozicionuara në aspektin e fuqisë njerëzore se që ishin para disa muajve dhe se një kundërsulmi i ri është çështje e armatosjes së brigadave.

“Nuk është ngërç, është zgjidhje problematike. Ngërçi nënkupton se nuk ka rrugëdalje, por një problem mund të zgjidhet, nëse i ke vullnetin dhe veglat. Ne e kemi vullnetin, dhe veglat – ato nuk kanë arritur ende” – tha Zelensky./Nacionale

Advertisement
Advertisement

You May Also Like