V*rasja e 18 vjeçarit – Reagon gazetari Naser Selmani

Estimated read time 3 min read

Shkruan Naser Selmani

E llahtarshme!

Pasi goditin me makinë, dy të mitur rrahin me shufra hekuri për vdekje një moshatar të tyre në Podujevë!

Nuk mundem ta kuptoj çfarë mund të jenë motivi që vrasësit të shfryjnë mllefin dhe urrejtjen e papërmbajtur në këtë mënyrë djallzore. Nuk dua ta quaj vrasjen shtazarake, se kam frik se fyej kafshët!

Çfarë ka ndikuar që këto fëmijë, që do të duhej të ishin të padjallëzuar, të shëndrohen në demonë. Qenia njerëzore ka empati për jetën e tjetrin edhe atëherë kur përleshet fizikisht. Vazhdoi ta godet viktimën me shufër hekuri kokës edhe atëherë kur bie përtokë! Fëmijë të shëndruar në bisha vrastare primitive!

Kjo vrasje makabre është dështim i prindërve për të edukuar pjellën e tyre! Fatzi tërë jetën sepse paaftësia e tyre për të qenë prindër të mirë, kushton jetë njerëzish! Po të ketë ligj në Kosovë, përveç vrasësve, duhet urgjentisht të arrestohen edhe prindërit e tyre, të cilët kanë poashtu përgjegjësi për veprimet e fëmijëve që kanë lindur.

Po arsimtarët e të dyshuarve për vrasjen a ndihen fajtor?! Me vite i keni pasur këto bisha në banka shkollore dhe ju nuk keni arritur tua zbutni zemrat gjaksore dhe të kuptojnë se jeta e njeriut vlenë!

Po shoqëria kosovare, e cila aq shumë ka vuajtur nga dhuna e pushtuesit! Pse ende keni nevojë të përgjakni lirinë e fituar me shumë sakrifica?! Është përgjegjësi e secilit kosovar të promovojë tolerancën dhe të dënojë dhunën. Nëse dikujt i bëhet padrejtësi, keni institucionet tuaja që vendosin drejtësinë, e jo të merrni hak sipas tekeve.

E shteti i Kosovës! Institucionet duhet të veprojnë me forcën e ligjit! Hetime efektive, të zbulohet e vërteta dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar. Dhe jo vetëm vrasësit, por edhe prindërit e tyre! Të jenë mësim i mirë për prindërit tjerët se kanë përgjegjësi për veprimet e fëmijëve të tyre! Nuk mjafton të lindësh dhe të ushqesh fëmijët, por edhe të edukosh, të bëhen njerëz të ndershëm dhe të përgjegjshëm! Mësimi i parë është të mesojnë se njeriu nuk duhet të vritet! Dhuna nuk kalon!

Advertisement

Në fund shkurt për disa njerëz që veten e quajnë gazetarë. Publikimi i pamjeve është veprim joetik dhe joprofesional. Në vend të jenë në shërbim të publikut, janë shëndruar në lugetër gjakëpirës!

Pamjet shokuese do të mund të publikoheshin vetëm me një kusht, nëse organet e hetuesisë nuk vepronin në pajtim me ligjin dhe do të kishte indicie se po përpiqen ta fshehin të vërtetën! Në rastet tjera nuk lejohet publikimi i këtyre pamjeve tmerruese që shokojnë opinionin! Dhimbjen e viktimës mos e shëndroni në klikime për përfitime materiale! Kujtoni se edhe ju keni fëmijë!

Si do të ndiheshit nëse shikoni pamje në media se si dikush vret të dashurit tuaj?!

Advertisement
Advertisement

You May Also Like