Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi të shtunën në konventën republikane hebreje se, nëse rizgjedhej, do të rivendoste ndalimin e hyrjes së qytetarëve të vendeve me shumicë myslimane në SHBA.
“Ne do t’i mbajmë terroristët e islamit radikal jashtë vendit tonë,” u tha Trump të pranishmëve në samitin vjetor të Koalicionit Republikan Hebre.
“Ju e mbani mend atë ndalim, unë do ta kthej atë në ditën e parë”, tha Trump. Në fillim të mandatit të tij në 2017, Trump vendosi kufizime për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve të Iranit, Libisë, Somalisë, Sirisë, Jemenit, Irakut dhe Sudanit. Ndalimi u kundërshtua shpejt në gjykatë si diskriminues ndaj grupeve fetare, por së bashku me axhendën e linjës së ashpër kundër emigracionit të Trump, ai ishte i popullarizuar në bazën e tij.
Presidenti Joe Biden e hoqi atë ndalim në javën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë në 2021.
Trump ishte një nga disa republikanë të shquar që u shfaqën në mbledhjen e donatorëve hebrenj me ndikim për të shprehur mbështetjen e palëkundur për Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit.
Në një tubim në Las Vegas, Nevada, Trump tha se do të “mbronte mikun dhe aleatin tonë në Shtetin e Izraelit, siç nuk e ka bërë askush ndonjëherë”. Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit është “një luftë midis qytetërimit dhe egërsisë, qytetërimit dhe shthurjes, dhe midis së mirës dhe së keqes”, tha Trump. Në tubim, ai sulmoi administratën e Bidenit, por gjithashtu u përmbajt nga kritikat ndaj rivalëve të tij.
Mbështetja për Izraelin është dypartiake në SHBA dhe është një nga çështjet e pakta të politikës së jashtme amerikane që luan një rol në sondazhe, ndër të tjera, për shkak të numrit të madh të votuesve hebrenj dhe rëndësisë së tij për të krishterët ungjillorë, për të cilët ekzistenca e një shtet hebre është një parakusht për “ardhjen e dytë” të Jezu Krishtit.