Shahpaska: Vazhdojmë me realizimin e të drejtave të cilat dalin nga ligji për përdorimin e gjuhëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska sot është takuar me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Ylber Selën, me të cilin kanë biseduar për zbatimin institucional të gjuhëve në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve për institucionet shtetërore.

Në takim, siç bëri të ditur MPPS, Sela ka theksuar se detyrë kryesore dhe kompetencë e Agjencisë është mbështetja e institucioneve në realizimin e detyrimeve në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përfshirë edhe lekturën edhe përkthimin.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale në bisedë ka theksuar se Ministria punon në drejtim të implementimit të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe në praktikë në nivel institucional, sipas të cilit krahas përdorimit të gjuhës maqedonase si gjuhë e parë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Të drejtat e qytetarëve të cilat dalin nga Ligji për përdorimin e gjuhëve janë të mbrojtura me Ligj, ndërsa ne si Ministri e cila punon për dhe në interes të qytetarëve vazhdojmë me respektimin dhe realizmin e këtyre të drejtave”, ka theksuar Shapaska duke shtuar se ky është një proces i gjatë dhe serioz në të cilin punohet, me përmbushjen e qëllimit përfundimtar, dhënien e rezultateve për qytetarët.

Në takim bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e kompetencave të të dyja institucioneve.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like