Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela nëpërmjet rrjetit social Facebook, bëri të ditur se iu ka shkruar letër deputetëve evropian për zgjedhjen e Naser Ziberit si Avokat i Popullit.
Në letër dërguar euro-deputetëve Sela mes tjerash shkruan: Sa i përket zgjedhjes së Naser Ziberit si Avokat i Popullit, vlerësoj se zgjedhja e kandidatit të dështuar të BDI-së për Kryeministër është antikushtetuese dhe përbën një sulm të paparë ndaj institucioneve të pavarura. Një Avokat i Popullit i politizuar nuk mund të kryejë funksionet e tij në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor, veçanërisht Parimet e Parisit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligjin e Maqedonisë së Veriut për Avokatin e Popullit.
I bëj thirrje Parlamentit Evropian dhe anëtarëve të Delegacionit BE – Maqedoni e Veriut që të ngritin zërin kundër politizimit të institucioneve të pavarura dhe regresit të përgjithshëm të shtetit të së drejtës në Maqedoninë e Veriut.