Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi informacionin se H.B., 35 vjeç, nga Shkupi, ka ndërruar jetë nga plagët e marra në një përplasje me armë që ndodhi gjatë natës në komunën e Shkupit, Çair.
Nga MPB-ja njoftuan se, përveç viktimës, dy persona të tjerë nga Shkupi u plagosën nga arma e zjarrit, përfshirë A.D. (35), i cili u operua urgjentisht dhe u mbajt për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum Ohri”, si dhe N.D. (22), i cili u transferua në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
„Më 11 shkurt 2025, në orën 00:06, në SPB Shkup nga spitali ‘Shën Naum Ohri’ u raportua se aty ishin sjellë dy persona me lëndime nga armë zjarri, njëri prej të cilëve më vonë ka vdekur nga plagët. Policia mori masa dhe konstatoi se ata kishin marrë pjesë në një përplasje me armë në zonën e Çairit“, tha MPB-ja.
Në lidhje me incidentin, policia ka arrestuar katër persona në orët e hershme të mëngjesit, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në përplasjen me armë. Në orën 01:40, në spital u arrestua B.B. (39) nga Shkupi, ndërsa N.D. (22) u ndalua në zonën e Çairit. Më vonë, policia arriti t’i gjejë dhe t’i arrestojë R.R. (41) dhe K.T. (28), të cilët gjithashtu u privuan nga liria.
„Personat janë mbajtur në stacionin policor dhe, pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen kallëzime përkatëse“, shtojnë nga MPB-ja.
Organet e hetuesisë po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat në të cilat ndodhi përplasja me armë, ndërsa policia ka marrë masa për sigurimin e provave shtesë.
Një i vdekur dhe dy të plagosur nga përleshja e mbrëmshme me armë në Çair
Advertisement
Advertisement
Advertisement