NISHANI: Me Bashën përballë, Rama fiton edhe zgjedhjet e 2025

Bujar Nishani, pjesë e lëvizjes dhe zërave brenda Partisë Demokratike që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës e cilëson alibi të dobët akuzën e kreut të PD-së se zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan dhe u blenë nga ana e Partisë Socialiste.
“Alibi e dobët për t’i ikur përgjegjësisë dhe hapjes së PD. Ky proces, vërtetimi se janë vjedhur zgjedhjet, duhet të vijojë paralelisht me hapjen e partisë. Nëse nuk largohet, do dëmtojë personalitetin e vet, Basha e ka mbyllur ciklin për të qenë një lider politik, u përpoq prej 8 vitesh, ka pasur mbështetjen maksimale dhe nuk e ka realizuar misionin e tij, nuk arriti që të marrë qeverisjen dhe të kryejë programin”, deklaroi Nishani në një intervistë për Report TV.
Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Brendshëm i paralajmëron se nëse Basha nuk largohet nga PD, atëherë Rama do të fitojë edhe zgjedhjet e 2025-ës.
“Nëse qëndron në këtë pozicion mund ta mbajë vulën apo çelësin e PD, por do dëmtohej edhe më shumë në aspektin personal, por do e zvogëlojë edhe më shumë PD, do rrezikojë rrudhjen e saj dhe Rama do të fitojë edhe në 2025 nëse PD nuk reformohet”, thotë ai.
“Dorëheqja është një akt politik perëndimor dhe nuk ka vetëm vlerën e perceptimit të sjelljes me integritet, por edhe çlirimi nga ngërçi psikologjik që ka struktura dhe opinioni i PD-së. Duhet të sillesh europian duke filluar nga vetja, nuk mund t’u kërkosh të tjerëve të sillen europianë dhe vetë të sillesh sipas modelit afrikan”, vijoi Nishani./Mapo/

Advertisement

Në lidhje me nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Bujar Nishani thotë se kjo nismë do të dështojë, pasi sipas tij, Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like