Netanjahu e vlerësoi idenë e Trumpit për marrjen e kontrollit të Gazës nga SHBA – e quajti të jashtëzakonshme

Kryeministri izraelit, në një intervistë për Fox News, deklaroi se Izraeli mbetet i përkushtuar për shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, me qëllim që ai të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për shtetin hebre.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e konsideron si një ide të jashtëzakonshme propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për marrjen e kontrollit të Gazës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se ajo duhet të analizohet dhe të vihet në zbatim.
“Mendoj se kjo do të krijojë një të ardhme ndryshe për të gjithë,” deklaroi ai për Fox News.
Sipas Netanjahut, palestinezët që duan të largohen nga Rripi i Gazës mund ta bëjnë këtë dhe më pas të kthehen.
“Ideja e vërtetë është t’u lejohet banorëve të Gazës që duan të largohen, ta bëjnë këtë. Çfarë ka të keqe në këtë? Ata mund të largohen dhe më pas të kthehen. Ata mund të zhvendosen dhe të kthehen, por fillimisht, Gaza duhet të rindërtohet,” tha ai.
Në intervistën për Fox News, Netanjahu përsëriti se Izraeli mbetet i përkushtuar për shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, në mënyrë që ky grup të mos përbëjë më një kërcënim për shtetin hebre.
Dy ditë më parë, Donald Trump deklaroi se SHBA do të “marrë nën kontroll” Rripin e Gazës, duke e përshkruar vizionin e tij për këtë zonë si “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Ai gjithashtu propozoi zhvendosjen e palestinezëve në vende të tjera arabe, si Jordania dhe Egjipti, me arsyetimin se Gaza aktualisht është plotësisht e shkatërruar.
Plani i Trumpit u prit me kritika të ashpra nga përfaqësues të ndryshëm në botë.
Edhe banorët e Gazës reaguan ashpër ndaj propozimit të Trumpit për një marrje të mundshme nën kontroll të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Egjipti e refuzoi propozimin e Trumpit. Ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Badr Abdelati, deklaroi se palestinezët nuk duhet ta lënë Gazën.
Dihet se vendet arabe prej kohësh kundërshtojnë çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve dhe mbështesin një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar vetëm një largim të përkohshëm të palestinezëve nga Gaza, deri sa Rripi të pastrohet dhe rindërtohet, dhe jo marrjen e territorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *