Këta flamuj rëndom mund t’i shohësh në një vend ku ka festë. E si shenjë e tillë ishin vënë edhe në këtë objekt në Antwerp të Belgjikës. Shqiptarë nga të gjitha trojet të mbledhur në një vend, me një qëllim – për të festuar 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Programi ishte i begatë. Në event morën pjesë edhe eurodeputetja Kathleen Van Brempt, kryetari i komunës Durne, deputetja e parlamentit fllaman Hiba Faraji si dhe përfaqësues të ambasadës së Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë. Organizues i këtij manifestimi ishte shoqata “Iliriada”, kryetari i së cilës, Ismet Ademi, na tregoi për përpjekjet që po bëjnë për të ruajtur gjuhën në mesin e shqiptarëve në Belgjikë. Çdo të dielë fëmijët mësojnë shqip. “Shoqata Iliriada ka hapur edhe shkollën shqipe në Antwerpen të Belgjikës, prej 8 dhjetor 2024. Sot kemi 140 nxënës që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, mësim plotësues, çdo të diel nga ora 11 deri në orën 14”, tha Ismet Ademi Veç gjuhës, rëndësi të madhe i kushtojnë edhe ruajtjes së traditës shqiptare. “Më 2 qershor kemi filluar edhe me kursin e çiftelisë dhe instrumenteve tradicionale shqiptare dhe kjo ka rëndësi të madhe për shkak se fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm të mos e harrojnë kulturën, traditën shqiptare dhe gjuhën shqipe”, tha Ademi. Komuniteti shqiptar në Anwerpen por edhe më gjerë në Belgjikë, sipas Ademit, është i mirëintegruar në shoqërinë belge, duke qenë pjesë edhe e institucioneve më të larta publike, por edhe të jetës politike, shoqërore e sportive.
Me shqiptarët në Belgjikë në festën e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Advertisement
Advertisement
Advertisement