“Më grisi xhupin, më goditi me statujë dhe…”, dëshmia e Princ Lekës: Ish-vjehrri më sulmoi në prani të vajzës!

Estimated read time 3 min read

Pas lajmit të bujshëm se ai dhe ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia përfunduan në Polici për dhunë në familje, ka një version për ngjarjen të Princ Lekës. Në dëshminë që gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj ka siguruar, Princ Leka thotë se gjatë takimit me vajzën e tij 3 vjeçare, Gjergj Zaharia (ish-vjehrri) e ka fyer dhe kërcënuar në prani të Princeshës Geraldinë.

“Ndërro rrugë kur më sheh mua”, mësohet t’i ketë thënë babai i Elia Zaharias, princit. Ky i fundit, i ka kërkuar që ai të dilte nga dhoma ku ishte me të bijën, duke pretenduar se më pas Gjergj Zaharia e ka shtyrë e goditur me shkelma.

Ndërkohë sipas burimeve të Klan News, Gjergj Zaharia e ka goditur Princin edhe me një statujë prej druri.

Dëshmia e plotë e Princ Lekës

Rreth orës 15:20 kam qenë në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca e familjes mbretërore, për të takuar vajzën time të moshës 3 vjeç, pasi me ish-bashkëshorten Elia Zogu, jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me shefin e administratës së Oborrit, të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas i kam kërkuar administratorit që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish bashkëshorten. Unë jam ngjitur me administratorin edhe kam gjetur vajzën time të vogël e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj, babait të ish-bashkëshortes, Gjergj Zaharia. Në këtë moment unë kam përqafuar vajzën time edhe Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke iu drejtuar Gjergjit që të mos ofendojë e kërcënojë sidomos në prani të vajzës dhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këtë moment situata ka agravuar, Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin.

Advertisement

Nga ana tjetër në Polici ka një kallëzim edhe nga Elia Zaharia dhe të dy kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.

Policia në njoftim zyrtar për rastin: Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi L. Z., 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja E. Z., 42 vjeçe, dhe shtetasi Gj. Z., 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases E. Z., e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi L. Z. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/tvklan.al

Advertisement
Advertisement

You May Also Like