Kontestin me Bullgarinë, Buçkovski i bindur se së shpejti do të gjendet zgjidhje

Përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgarinë, Buçkovski zotohet se çështja mes Shkupit e Sofjes do të zgjidhet, megjithatë nuk garanton se kjo do të ndodhë deri më 8 dhjetor kur BE-ja përfundimisht do të vendosë nëse do t’i fillojë negociatat për anëtarësim me vendin ose jo.

Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje, por jo për 7 ditë. Ndoshta do të na duhet kohë shtesë. Por jemi në rrugën e drejtë. Unë shkaku i përvojës sime nuk do të pranoja që me miqtë tanë bullgarë të përçoj porosi përmes mediave. Komisioni ynë punon intenzivisht, kemi instrumente që na i ka dhënë marrëveshja për fqinjësi. Nëse këto instrumente do të shfrytëzoheshin deri tani, nuk do të vinim në këtë krizë. I dëgjoj kritikat ndaj nesh nga pala bullgare. Ne kemi argumente serioze. Priten reagimet e palës tjetër – deklaroi Vllado Buçkovski, Përfaqësues i Qeverisë për Bullgarinë.

Derisa një ditë më parë Qeveria konfirmoi se me palën bullgare po përpiqen ta harmonizojnë një udhërrëfyes të përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes së 2017-tës, Ministri i Jashtëm, Osmani tha se përpjekjet vazhdojnë në forma të ndryshme.

Në këtë periudhë jemi angazhuar të krijojmë mekanizma, me të cilat do të kthehet besimi në marrëveshje, si përmes planeve aksionare, formimit të grupeve të punës që do të komunikojnë me grupet e punës së Bullgarisë dhe shprehje të gatishmërisë dhe vëmendjes ndaj obligimeve që dalin nga marrëveshja, intensifikimin e punës së komisioneve dhe kërkesën për mbajtjen e konferencës ndër-qeveritare në dhjetor -tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Advertisement

Krerët e komisioneve të dyja vendeve u përplasën sot një ditë para takimit ku pritet të diskutohet për periudhën e mesjetës. Kreu i palës bullgare, Angell Dimitrov tha se politikanët e dy shteteve duan progres, por se historianët e Maqedonisë së Veriut bëjnë çmos që kjo të mos ndodhë. Dimitrov kritikoi historianët maqedonas, që sipas tij presin situatë të re për të bërë analizë kritike, në vend se ta tregojnë të vërtetën dhe ta përgatisin shoqërinë për këtë. Kreu i palës maqedonase, Dragi Gjorgjiev iu kundërpërgjigj se është shkencërisht e papranueshme që puna e tyre të diktohet nga kërkesat politike. Theksoi se të kërkosh arsye për dështim të takimit, nuk i ndihmon realizimit të qëllimeve të përbashkëta.

Anesa Salihu-AlsatM

Advertisement
Advertisement

You May Also Like