Disa zyrtarë të qeverisë së vendit morën anë pas ngjarjeve në Serbi. Mes protestave të studentëve dhe qeverisë serbe, ata zgjodhën qeverinë serbe dhe presidentin Aleksandër Vuçiq. Mbështetjen e fundit publike, në një prononcim për Kanal 5, e ka dhënë ministri i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, në emër të komunitetit serb në vend.
“Pas studentëve qëndrojnë grupe politike shumë serioze, është e qartë se ky është një veprim i sinkronizuar që, nëse asgjë tjetër, dëshiron të paktën ta ndalë Serbinë në rrugën e zhvillimit ekonomik dh e stabilitetit politik”, tha Ivan Stoilkoviq.
Më parë, zëvendësministrja për çështje europiane, Viktorija Trajkov, komentoi atë që po ndodh në Beograd në një intervistë për lokalen TV Star, duke kritikuar protestat.
“Ne e përjetuam atë… e dini si ishte me atë Revolucion Shumëngjyrësh, të kuq, të verdhë apo sido që ta quanin, dhe ne e paguam çmimin për atë revolucion, kështu që ndoshta populli serb do të vetëdijesohet”, thotë Viktorija Trajkov.
Pikëpamjet e zyrtarëve qeveritarë i komentoi edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Askush të mos e nënvlerësojë kurrë fuqinë e popullit – ata japin pushtet, ata marrin pushtet”, tha Venko Filipçe.
Përndryshe, gjatë një prej protestave më masive në Beograd javën e kaluar, një shtetase e Maqedonisë u dëbua nga Serbia, me arsyetimin se ajo përbënte “kërcënim për sigurinë”. Ministria e Jashtme shprehu shqetësimin, duke njoftuar se do të kërkonte një shpjegim për këtë.