Inspektoratet pa inspektorë!

Raporti thekson se për shkak të numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve, një numër i madh i shërbimeve të inspektoratit punojnë në mënyrë të vështirësuar, ndërsa në rast se në periudhën e ardhshme nuk realizohen punësimet e reja, ekziston rreziku që disa inspektorate të mos mund ti ushtrojnë kompetencat e tyre në bazë të ligjit

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 12 qershor – Inspektoratet në vend aktualisht punojnë me kapacitet kadrovik të përgjysmuar. Në rast se në të ardhmen nuk realizohen punësimet e reja, ekziston rrezik që disa inspektorate të mos kenë mundësi të kryejnë punën e tyre. Kjo ndër të tjerash theksohet në raportin e Entit Shtetëror për Revizion për kapacitetet institucionale të inspektorateve. Revizioni është kryer në periudhën 2017-2019, në bazë të të dhënave që janë ofruar nga ana e Këshillit Inspektues për licencat e lëshuara për inspektorë në inspektorate dhe shërbimet inspektuese. Me këtë rast është konstatuar se janë lëshuar gjithsej 1692 licenca për 45 lloje të inspektorëve të punësuar në 28 inspektorate dhe shërbime të ngjashme prej të cilëve aktive janë 842 licenca për inspektor. “Duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e shërbimeve të inspektimit, ulja e numrit të inspektorëve në shtet që për dhjetë vite është ulur për 50 për qind, është gjendje për të cilën nevojitet të ndërmerren masa urgjente në favor të rritjes dhe ekipimit të numrit të inspektorëve në shtet”, thuhet në raport, shkruan gazeta KOHA.

Njëherësh theksohet se në inspektoratet janë parashikuar 1006 vende pune për inspektorë, ndërsa janë të plotësuara 602 vende pune, apo 60 për qind, ndërsa në shërbimet inspektuese nga 418 vende pune të parashikuara për inspektorë, janë të plotësuara 210 vende pune, apo 50 për qind. Raporti më tej thekson se për shkak të numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve, një numër i madh i shërbimeve të inspektoratit punojnë në mënyrë të vështirësuar, ndërsa në rast se në periudhën e ardhshme nuk realizohen punësimet e reja, ekziston rreziku që disa inspektorate të mos mund ti ushtojnë kompetencat e tyre në bazë të ligjit. Gjithashtu, revizioni ka konstatuar se bazat e të dhënave me të cilat disponojnë inspektoratet nuk janë të tërësishme, dhe se mungon shërbimi informatik që do të ndjek punën e shërbimeve inspektuese. Mungesa e një sistemi të tillë informatik , krijon rrezik për subjektivizëm gjatë zgjedhjes dhe shpërndarjes së mbikëqyrjeve, ndërsa kjo e vështirëson edhe ndjekjen e suksesit të punës së inspektorëve.

Nga analiza e kryer e të dhënave me të cilat disponojnë inspektoratet, revizioni ka konstatuar se të njëjtat nuk janë të plota, dhe nuk përmbajnë të dhëna për subjektet lëndë të shërbimit inspektues. Një gjendje e tillë i detyrohet bashkëpunimit të pamjaftueshëm me institucionet e tjera shtetërore që kanë kompetenca për evidentimin e subjekteve që janë lëndë e shërbimit inspektues. Njëherësh auditimi ka konstatuar se nuk është miratuar as Strategjia për zhvillimin e shërbimeve inspektuese, si dokument i rëndësishëm strategjik, ndërsa shton se nën rrezik të madh është edhe implementimi i platformës “E-inspektor”, apo inspektori elektronik.

Advertisement

Duke pasur parasysh angazhimet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për reformimin e sistemit dhe rregullave të mbikëqyrjes inspektuese, si dhe programin qeveritar 2020-2024, ku planifikohet vendosja e inspektorit elektronik , revizorët pas revizionit të kryer kanë konstatuar se ekziston rrezik i madh nga implementimi i kësaj reforme për shkak se në sektorin e Teknologjisë informatike, njësinë për IT përkrahje dhe një sinë për shërbime inspektuese nuk është punësuar staf apo kuadër , edhe pse janë të parashikuara për këtë nëntë vende pune, theksohet më tej në raportin e Entit për Revizion, raporton KOHA.

Raporti më tej thekson se në programin qeveritar 2020-2024 , në raport me shërbimet inspektuese, konstatohet se akoma është i madh mosbesimi i qytetarëve dhe biznesit për efikasitetin dhe jo anshmërinë e inspeksioneve shtetërore dhe lokale. Në lidhje me reformimin e sistemit dhe rregullave të mbikëqyrjes inspektuese, parashikohet edhe emërimi i zëvendës kryeministrit të angazhuar për koordinimin e të gjitha shërbimeve inspektuese, uljen e dukshme të inspektorateve si dhe rritjen e numrit të inspektorë ve për mjedisin jetësor dhe të inspeksionit të tregut. Përskaj vendosjes së platformës inspektori elektronik në të gjitha inspeksionet, planifikohet edhe publikimi i obligueshëm i raporteve mujore kur, ku dhe me çfarë rezultate janë zbatuar shërbimet e inspeksioneve dhe mbajtja e takimeve të rregullta me organizatat e interesuara qytetare për prezantimin e rezultateve dhe problemeve me të cilat ballafaqohen shërbimet e ndryshme inspektuese. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like