Hoxhaj theksoi se shqiptarët në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës ende diskriminohen nga autoritetet e Serbisë, duke shtuar se diskriminimi është ekonomik dhe shtetëror dhe se ka një plagë të rëndë të vazhdueshme të migrimit.
Ushtruesi i detyrës kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidat për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka njoftuar programin e partisë lidhur me pozicionin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, raporton Anadolu Agency (AA).
Hoxhaj në konferencën për media theksoi se shqiptarët në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës ende diskriminohen nga autoritetet e Serbisë, duke shtuar se diskriminimi është ekonomik dhe shtetëror dhe se ka një plagë të rëndë të vazhdueshme të migrimit.
Ai deklaroi se tema kryesore e çdo marrëveshje paqeje të arritur me Serbinë do të jenë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Nuk mund të ketë marrëveshje paqeje dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë pa adresuar çështjen e Luginës së Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve dhe kjo do të jetë një pikë kyçe në negociatat e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë. Së dyti, në listën tonë parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës do të kemi dy kandidatë të cilët do të jenë zëri i njerëzve të Preshevës në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ai gjithashtu tha se do të miratohet një ligj i veçantë i cili do të sigurojë bazën ligjore për mbështetjen financiare, arsimore, politike dhe kulturore për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Do të kemi një agjenci shtetërore si organ koordinues brenda zyrës së kryeministrit, kabinetit tim, që do të merret me zhvillimin dhe zbatimin e të gjitha politikave në lidhje me Luginën e Preshevës dhe kjo agjenci do të ketë më shumë pushtet sesa një ministri që do të ishte thjesht një formalitet”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se do të rregullohet edhe statusi i mijëra shqiptarëve nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Kosovë për 20-30 vjet, por që nuk kanë qasje në shumë sfera të jetës për shkak të mungesës së lejes së qëndrimit dhe dokumenteve.
Programi i PDK-së po ashtu parashikon sigurimin e kuotave të caktuara për regjistrimin e studentëve nga Lugina në universitetet publike të Kosovës, si dhe për ata që tashmë jetojnë në Kosovë.
Ai gjithashtu njoftoi hapjen e katër pikave të reja kufitare në Luginën e Preshevës, në mënyrë që të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, ndërsa në plan është edhe themelimi i Fondit të Luginës së Preshevës, me 5 milion euro fillestare për t’u marrë me kthimin e atyre që duan të kthehen në Luginën e Preshevës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Hoxhaj tha se si kryeministër ai do të angazhohet për përfundimin e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, sepse sipas tij, momenti i ri diplomatik duhet të shfrytëzohet me ardhjen e Joe Biden në krye të SHBA-ve, në bashkëpunim me kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe Francën, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian (BE).
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të shpallë vendimin e plotë duke deklaruar jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe duke urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet që doemos duhet të mbahen më së voni për 40 ditë nga dita e shpalljes.