• 20-09-2021

Hoxhaj me pako për diasporën: Rikthimi i Ministrisë së Diasporës dhe 3 vende në listën për deputet

​Hoxhaj me pako për diasporën: Rikthimi i Ministrisë së Diasporës dhe 3 vende në listën për deputet

Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka prezantuar pakon qeverisëse të diasporën, duke thënë se me propozimin e Qeverisë së ardhshme, diaspora do t’i ketë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, por gjithashtu do të rikthehet Ministria e Diasporës dhe heqja e pagesës për kartonin e gjelbër.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të ketë në listën e saj 3 kandidatë për deputetë, që janë personalitete të veçantë në fushën e ndërmarrësisë dhe profesioneve të tjera.

Po ashtu, ai ka propozuar kthimin e ministrisë së Diasporës me ta marrë qeverinë e ardhshme në udhëheqje.

Hoxhaj: Në listën e PDK-së do të ketë tre kandidatë për deputetë që vinë nga diaspora

“Në listën e PDK-së do të ketë tre kandidatë për deputetë të cilët do të vinë nga diaspora, do të propozohen nga diaspora dhe do të jenë në listën e PDK-së. Këta do të jenë profile të mëdha politike, intelektuale dhe ndërmarrësisë dhe natyrisht që do të jenë edhe anëtarë të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Hoxhaj tha se PDK e ka themeluar Ministrinë e Diasporës dhe koalicioni që e ka dërguar Kosovën drejt krizës, degradimit dhe kolapsit e ka shuar atë. Ai ka propozuar kthimin e Ministrisë së Diasporës me ta marrë qeverinë e ardhshme në udhëheqje.

Hoxhaj: Do ta kthejmë Ministrinë e Diasporës

“Hapi i parë pas kthimit tonë në qeveri nën udhëheqjes time do të jetë kthimi i Ministrisë së Diasporës dhe ministri do të jetë një njeri që vjen vet nga diaspora. Hapi i dytë që do ta bëjmë në fushën e ligjeve të reja me propozim të Qeverisë do të jetë një kornizë e re ligjore që do të mundëson që diaspora t’i ketë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe kjo është mënyra më e mirë që këta t’i kenë të përfaqësuara në mënyrë të mirëfilltë interesat e diasporës në Kuvendin e Kosovës. Një temë e cila ka përcjell vendin gjatë ka qenë tema e kartonit të gjelbër , dua sot t’i sigurojë mërgimtarët tanë që derisa Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Byrove të Kartonit të gjelbër, Sigurimet kufitare do të lirohen nga qeveria e ardhshme e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se do të dalin edhe me një pako ekonomike e cila do të mundësojë që një pjesë e diasporës ta kenë një rol shumë më të madh në ekonominë dhe modernizimin e Kosovës.

Hoxhaj: Diaspora është një infuzion i fuqishëm për ekonominë e Kosovës

“E kam parasysh dhe e bashkëndjej rrugën e gjatë që e kanë pas, pritjet e gjata që i kanë pas nëpër pikat kufitare dhe mendojmë që në të ardhmen shteti i Kosovë duhet ta lehtësojë ardhjen e tyre në Kosovë. Diaspora është një infuzion i fuqishëm për ekonominë e Kosovës, është një mbështetje e madhe në kohë të vështira, e sjellin gazmendin në Kosovë dhe sa më larg të jenë aq më afër e ndihen veten ndaj kombit të tyre, atdheut dhe shtetit të tyre”, tha ai.

Deputeti, anëtarësi i kryesisë Elmi Reçica, ka thënë se PDK-ja po rikthehet fuqimisht në diasporë.

“Sot e kemi shpallur si ditë të diasporës me qëllimin që të jemi sa më afër tyre. Tash kemi nisur një riorganizim të jashtëzakonshëm dhe po kthehemi fuqishëm në diasporë. E kemi nisur më Zvicrën, tani do ta kemi themelimin e degës në Gjermani dhe se shpejti do të jemi në SHBA dhe Kanada.”, ka thënë Reçica.

Read Previous

Blendi Fevziu për Albin Kurtin: Është një “kafshë politike” në kuptimin…

Read Next

Kompania shqiptare “Ecolog” fiton tenderin për vaksinim kundër Covid19

%d bloggers like this: