Auditimi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, i iniciuar nga ministri aktual Besar Durmishi, ka konstatuar shkelje të shumta, mungesë transparence dhe mosrespektim të rregulloreve të brendshme, procedurave administrative dhe ligjore.
Durmishi njoftoi sot se buxheti i shtetit është dëmtuar me 127,721,000 denarë (afërsisht dy milionë euro) për shkak të mosmarrjes së masave nga komisionet e Ministrisë gjatë periudhës 2019-2023.
Gjithashtu, 1,534 lëndë kanë kaluar afatin dhe për to nuk mund të zhvillohet më asnjë procedurë.
“Komisioni për Kundërvajtje dhe Shqiptimin e Sanksioneve” pranë Ministrisë së Ekonomisë u formua më 4 tetor 2022, plot 4 vite e 4 muaj pas pranimit të lëndëve nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Në raportet drejtuar ministrit, anëtarët e Komisionit raportojnë se nuk ka pasur kushte për funksionimin e tij, pasi nuk ka pasur numrin e mjaftueshëm të anëtarëve (duhen 5 ose 7 anëtarë, ndërsa kanë punuar vetëm 3).
“Shtrohet pyetja: Me çfarë janë marrë shërbimet e Ministrisë së Ekonomisë për 4 vite e 4 muaj? Siç shihet, për shkak të mosfunksionimit të këtij Komisioni, mbi 1,500 lëndë kanë kaluar afatin.
Publikisht i ftoj organet kompetente të rishikojnë raportin e auditimit. Të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin do të mbajnë përgjegjësi,” deklaroi Durmishi.
Ministria e Ekonomisë do të njoftojë nesër ose të hënën se çfarë masash do të ndërmarrë Qeveria në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, për të cilat qytetarët po organizojnë bojkot.
Duke iu referuar disa rasteve, ministri tha se në vitin 2021 është blerë një softuer për menaxhimin e aplikacioneve nga persona fizikë dhe juridikë, me vlerë 2.49 milionë denarë, i cili nuk është funksional dhe nuk ka asnjë shpjegim apo raport se pse nuk është vënë në përdorim.
Ndërsa në vitin 2022, është nënshkruar një kontratë për prokurim publik për punë ndërtimore, që lidhet me ndërtimin e një linje infrastrukturore dhe gardhe në lokacionin Manastirec (Makedonski Brod) dhe Amzabegovi (Sveti Nikole), me një vlerë prej 25 milionë denarë (400 mijë euro), ku janë konstatuar disa shkelje.
Kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin masa për të sqaruar situatën. Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë bërë shkelje të shumta dhe nuk janë respektuar procedurat administrative dhe rregulloret e brendshme.
Në lidhje me rastin e parë, ka indikacione për shkelje të procedurës, pasi i gjithë procesi është përfunduar brenda 15 ditësh, ndërkohë që bëhet fjalë për një softuer që kërkon kohë dhe profesionalizëm. Auditi ka konstatuar se kjo paraqet rrezik dhe shkelje, pasi e gjithë procedura është përfunduar për vetëm dy javë.
Sa i përket rastit të vitit 2022, edhe pse ishte nënshkruar një kontratë me kompaninë e përzgjedhur për ndërtim, punimet nuk janë realizuar fare, ndonëse bëhet fjalë për ndërtimin e një qendre fotovoltaike. Për shkak të moszbatimit dhe neglizhencës së ish-drejtuesve të ministrisë, fondet e parashikuara nga Ministria e Ekonomisë nuk janë realizuar. Shteti ka humbur investitorin, i cili mund të kishte siguruar të ardhura dhe hapjen e vendeve të reja të punës, theksoi ministri Besar Durmishi gjatë një takimi me gazetarët.
Ai gjithashtu nënvizoi se ka parregullsi edhe në angazhimin e personave me kontratë pune të përkohshme, si në aspektin e prezencës në punë, ashtu edhe në mungesën e provave për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre dhe për përgatitjen e tyre profesionale.
Gjithashtu, auditi ka konstatuar shkelje në përdorimin e automjeteve zyrtare, përfshirë mospërmbushjen e dokumentacionit ligjor të nevojshëm, si dhe furnizimin me karburant të këtyre automjeteve.
Durmishi: Buxheti i shtetit është dëmtuar me gati dy milionë euro, ka treguar revizioni në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës
Advertisement
Advertisement
Advertisement