Dënohen ish-kryekuvendari dhe dy ish-ministra të Maqedonisë për sulmet në parlament më 2017

Estimated read time 3 min read

Gjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burgim ish-kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.
Për të njëjtën vepër, gjykata u shqiptoi dënimin me nga gjashtë vjet e tre muaj burgim edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish-ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim.
Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.

Gjykatësi Ile Terpkov tha se dënimet janë minimale për shkak të qëndrimit korrekt dhe bashkëpunimit nga ana e të akuzuarve. Ai tha se “shteti mbrohet me mend dhe me zemër e jo me dhunë që lëndoi thelbin e demokracisë”.
Gjykatësi theksoi se Veljanovski nuk respektoi rregulloren e parlamentit në seancën konstituive më 27 prill, 2017. Sipas aktakuzës, ai njoftoi ish-kryeministrin Gruevski, i cili ndodhej në Vjenë, se Lidhja Social Demokrate do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Në atë çast, ish-ministri i Arsimit Spiro Ristovski i tha deputetit të VMRO-së, Krsto Mukovski, që ta hapte derën kryesore të Parlametit për të hyrë masa e njerëzve që po protestonin përjashta.

Gjykatësi theksoi edhe shprehjen e Gruevskit atëherë se “populli nuk duhej të rrijë me pantofla në shtëpi, por ta marrë fatin në duart e veta”.
Gruevski është arratisur në Hungari, ku i është mundësuar strehimi, teksa është dënuar në Shkup për vepra të tjera penale. Prokuroria, si dhe autoritetet qeveritare, presin ekstradimin e tij, në mënyrë që të ngrenë akuzën e organizatorit të ngjarjeve të dhunshme në parlament.
Gjatë shpalljes së dënimit gjykatësi tha se të akuzuarit si organizatorë, kishin angazhuar strukturën partiake të VMRO-DPMNE-së në planin për sulmet, duke bërë që numri i policëve dhe personeli i sigurimit të ulej gradualisht brenda godinës dhe jashtë saj, urdhëruan shkatërrimin e materialeve të videoregjistrimit, ndërkohë që kishin sjellë një automjet me një sasi të konsiderueshme armësh pranë parlamentit dhe lejuam turmën e protestuesve të futej brenda institucionit më të lartë ligjvënës për të sulmuar deputetët e shumicës së re të drejtuar nga socialdemokratët.

Advertisement

Gjatë sulmit u lëndua rëndë deputeti Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, i cili u shtrua në spital për disa ditë, si dhe kryetari i i Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev.
Për këtë vepër më parë janë dënuar 16 persona. Ndërkohë, pas ligjit të amnestisë të miratuar në dhjetor të vitit 2018, pesë deputetë të VMRO-së të akuzuar për rolin e tyre, u lanë të lirë

Advertisement
Advertisement

You May Also Like