“Dal në treg e kthehem me duar në xhepa”: A i kontrollon kush çmimet?

Estimated read time 3 min read

Prapë janë rritur çmimet…”, thotë Hysen Sylejmani, teksa shëtit nga tezga në tezgë në Tregun e Gjelbër të Prishtinës.

“Shumë herë dal në treg për t’u furnizuar me produkte ushqimore, por kthehem në shtëpi me duar në xhepa”, thotë pensionisti rreth 80 vjeç.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me të mëngjesin e së mërkurës, kur në njërën dorë mbante disa kilogramë miell, e në tjetrën pak litra qumësht.

“Më duhet të blej edhe disa pemë e perime – domate, tranguj, por nuk e di…”, thotë ai dhe prapë kthen shikimin nga tezgat.

Pohimet e Sylejmanit i mbështesin edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Të fundit – për muajin mars – tregojnë se çmimet e konsumit janë më të larta për 2.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm prodhimet bujqësore, ndërkaq, janë më të shtrenjta për 5.3 për qind.

Çmimet, megjithatë, duket se ndryshojnë dukshëm varësisht lokacionit dhe dyqanit ku shiten produktet.

Në Prishtinë, ekipi i REL-it vërejti çmime të ndryshme të produkteve të njëjta në disa raste – më të larta në dyqane, më të lira në treg.

Në Tregun e Gjelbër, një kilogram domate mund të blihej me 1 euro, ndërsa në disa dyqane të kryeqytetit çmimi i tyre shkonte deri në 2.15 euro.

Te specat, dallimi ishte nga 1.30 euro në treg në mbi 3 euro në dyqane, ndërsa te qepët nga 0.50 euro në 1 euro.

Këtë dallim thotë se e ka vërejtur edhe Elvane Berisha, e cila po furnizohej në Tregun e Gjelbër të Prishtinës, larg lagjes ku jeton.

“Unë jetoj në Breg të Diellit. Në dyqane çmimet janë katastrofë, dy-tre fish më të larta”, thotë ajo.

Pensionistja 67-vjeçare thotë se është me fat që e ndihmojnë fëmijët, sepse me pensionin që merr – 260 euro në muaj – druan se nuk do t’ia dilte.

Advertisement

Radio Evropa e Lirë pyeti kompanitë tregtare: Interex, Viva Fresh dhe ETC – të cilat kanë dyqane në qytete të ndryshme të Kosovës – se përse produktet bujqësore që i shesin, kanë çmime disa fish më të shtrenjta se në treg, por asnjëra prej tyre nuk u përgjigj.

“Asnjë ditë, asnjë mall nuk e ka çmimin e njëjtë”, thotë, në anën tjetër, Bukurija.

“Nuk e di se qysh po ia dal”, thotë ajo, duke treguar se jeton me ndihmë sociale prej 150 eurosh në muaj.

Në treg thotë se nuk shkon, sepse i duhet të paguajë edhe për transport. Furnizimet i bën në dyqane kur, siç thotë, ka aksione, apo lirim çmimesh.

“Askujt nuk i intereson për neve që jetojmë me më pak të ardhura. A duhet dikush t’i ndalë këto rritje çmimesh?”, pyet ajo.

Për mundësinë e krijimit të ndonjë mekanizmi që kontrollon rritjen e çmimeve, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Më herët, zyrtarë të saj kanë thënë se Kosova ka ekonomi të lirë të tregut dhe se institucionet e saj nuk mund ta kontrollojnë lëvizjen e çmimeve.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like