Babë e bir i prodhonin paratë false në një banesë në Çair, është propozuar paraburgim për gjashtë të dyshuarit në aksionin “Vardar”

Si rezultat i aksionit operativ ndërkombëtar të djeshëm me emrin e koduar “Vardar”, prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, i autorizuar të veprojë në këtë rast që po ndiqet në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka lëshuar Urdhër për fillimin e procedurës hetimore ndaj gjashtë personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si grup i organizuar kriminal kanë falsifikuar valutë evropiane – euro në prerje të ndryshme, njoftuan nga Prokuroria.
“Të dyshuarit, përveç veprës penale Shoqërim kriminal, kanë kryer edhe veprën penale Falsifikim parash, ndërsa i dyshuari i parë dhe i pesti akuzohen gjithashtu për kryerjen e veprës penale Përgatitja, sigurimi ose shpërndarja e mjeteve për falsifikim. Për të dyshuarin e parë ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale.
Që nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2025, i dyshuari i parë, së bashku me tre të dyshuar të tjerë, ka krijuar një grup me qëllim kryerjen e veprës penale Falsifikim parash në territorin e Maqedonisë dhe Serbisë. Anëtarë të këtij grupi u bënë i dyshuari i katërt dhe i gjashti, si dhe shtetas serbë ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë në Serbi, si dhe persona të tjerë”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar para në vlerë prej rreth 1.000.000 euro, si dhe dollarë amerikanë, franga zvicerane, shekelë izraelitë, kruna kroate, lekë shqiptarë, kurora suedeze dhe rubla ruse. Çdo anëtar i grupit kishte një rol të caktuar në planin dhe ekzekutimin e veprave penale.
“I dyshuari i parë, në një banesë në lagjen Çair, të cilën e quante “zyra” e tij, së bashku me djalin e tij – të dyshuarin e dytë, prodhonin para false në prerje prej 50, 100 dhe 200 euro, ndërsa nga Republika e Turqisë siguronte para false në prerje prej 500 euro dhe 100 dollarë amerikanë.
Të tre të dyshuarit e tjerë dhe anëtarët e tjerë të grupit – shtetas serbë, secili me rolin e vet, gjenin persona të interesuar për blerjen e kartëmonedhave false dhe organizonin transportin dhe shpërndarjen e tyre tek blerësit përfundimtarë në Maqedoni, Serbi dhe Kosovë.
I dyshuari i pestë kishte detyrën dhe rolin për të prodhuar në mënyrë të paautorizuar makineri për prodhimin e parave false, pllaka të gdhendura që imitonin shenjat e sigurisë së kartëmonedhave, si dhe makineri speciale me induktor. Ai gjithashtu mirëmbante makineritë, presat, pllakat dhe pajisjet e tjera që shërbenin për prodhimin e parave false”, informon Prokuroria.
Me veprimet e tyre, gjatë periudhës së përmendur, grupi në dhjetë raste ka realizuar blerje të simuluara të sendeve – para, duke futur në qarkullim para false si të ishin të vërteta, në vlerë prej të paktën 119.250 euro false, në prerje prej 50, 100 dhe 200 euro, në sistemin e pagesave në Serbi. Nga kjo veprimtari, ata kanë përfituar në mënyrë të paligjshme të paktën 38.850 euro.
Me futjen e këtyre parave false si të ishin të vërteta në qarkullimin financiar në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe shtete të tjera, është shkaktuar dëmtim i funksionimit normal të ekonomisë.
“I dyshuari i parë, paratë që merrte në dorë për shitjen e kartëmonedhave false, një pjesë i depozitonte në llogari bankare dhe një pjesë tjetër i pranonte përmes shërbimit të transferimit të shpejtë të parave, në emrin e tij, të bashkëshortes dhe të djalit të tij. Ai i legalizonte këto para duke marrë kredi nga banka ose nga shoqëri financiare që ofrojnë kredi të shpejta.
Një pjesë të parave i paguante si rrogë përmes një subjekti juridik, një pjesë i investonte në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ndërsa shumicën e tyre i transferonte në një llogari e-wallet për tregti me kriptovaluta.
Duke vlerësuar rrethanat, lidhjet mes të dyshuarve dhe veprat penale që u vihen në barrë, Prokuroria Publike ka paraqitur Propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë të dyshuarve pranë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup,” njofton Prokuroria.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *