Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë bërë një kërkesë të përbashkët për shtyrjen e afatit të dorëzimit të parashtresave për lirim nga paraburgimi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, në konferencën e mbajtur më 16 shkurt 2021, ka urdhëruar mbrojtjen që të “dorëzojnë deri të premten, më 26 shkurt, parashtresat nëse arsyet për vazhdimin paraburgimit ekzistojnë ende”, shkruan në dokumentin e publikuar nga Dhomat e Specializuara, përcjell Periskopi.
“Në përputhje me Rregullin 9(5)(a) të Rregullave të Procedurës dhe Provave, avokati i Hashim Thaçit, avokati i Kadri Veselit, avokati i Rexhep Selimit dhe avokati i Jakup Krasniqit (së bashku, “mbrojtja”), kërkojnë variacion të kësaj kohe në mënyrë që parashtresat e kërkuara të sigurohen, nëse është e nevojshme, brenda dhjetë (10) ditësh pas marrjes së vendimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit për kërkesat që janë në pritje rreth refuzimit të lirimit të përkohshëm për secilin të akuzuar”, thuhet në dokument.