Arrestohet Akil Gjakova, ja në cilën pikë kufitare

Estimated read time 3 min read

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Po është arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë. Të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Rugova.

Policia e Kosovës kishte shpallur të martën në kërkim xhudistin Akil Gjakova si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje.

Ditë më parë, përmes një letre publike, xhudisti Gjakova, kishte mohuar pretendimet për dhunë në familje edhe pse ky u fundit është denoncuar nga gruaja e tij për veprën e lartcekur, derisa Prokuroria Themelore e Pejës kishte kërkuar nga Policia që ta arrestojë xhudistin pejan.

“Dua të theksoj se nuk kam kryer asnjë krim, veçanërisht kundër bashkëshortes sime. Megjithatë, pasi jam aktualisht jashtë Kosovës dhe nuk mund të kthehem, i siguroj të gjithëve se nuk do të. Nuk jam person i dhunshëm, dhe nuk kam shkaktuar dëme. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjet e paraqitura në fotot e qarkulluara në media, dhe kjo shpejt do të provohet”, ka shkruar ai në një letër publike.

“Pas kthimit tim në Kosovë, do të paraqitem në polici dhe do të kontribuoj plotësisht në hedhjen e dritës mbi faktet që ata ose çdo institucion tjetër mund të kenë interes për to. Edhe pse jam pjesë e rrethanave dhe zhvillimeve të padrejta në të cilat jam përfshirë pa faj, familja ime mbetet e shenjtë për mua. Fëmija im është thesari më i çmuar që kam, dhe do të përmbahem nga komentimi i jetës sonë private në publik”.

Advertisement

AP merr vesh se çifti janë në një proces divorci, ku ndarja është kërkuar nga vetë Gjakova, derisa bashkëshortja e tij ka deponuar fakte që pretendojnë se xhudisti pejan ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Gjakova është një nga xhudistët më të mirë në botë aktualisht dhe ndër më të suksesshmit i të gjitha kohërave nga Kosova.

Ai më 3 shkurt kishte fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin në Paris.

Akili pati garuar në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa i fitoi 500 pikë shumë të rëndësishme për renditjen botërore. Po ashtu, Gjakova e ka fituar medaljen e artë në Paris në vitin 2018.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like