Shtabi kryesor i Qendrës për menaxhim me kriza pas kërkesës së MSH mbajti mbledhje për ruajtjen e disa objekteve të caktuara në këtë gjendje krize. Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza Stojanço Angellov tha se është vendosur që MPB së pari të vizitojë objektet shëndetësore dhe të bëjë plan për siguri, por vendimi është që ruajtja e spitaleve ku bëhet shërimi i Kovid-19 të jetë 24 orë. Ai theksoi se plani aksionar do të zbatohet nga ana e MPB, ndërsa ushtria vetëm do t’i asistojë policisë.
“Bëhet fjalë për angazhim të ushtrisë për ruajtjen e rendit në objektet shëndetësore, atje ku do të kërkojë MSH, apo në objekte tjera strategjike shëndetësore, apo depo të caktuara në të cilat ka pajisje shëndetësore. Dmth, ushtarët nuk do të jenë të armatosur, nuk do të frikësojmë njerëzit, por do të jenë këtu për tu ndihmuar qytetarëve që të mos krijohen rrëmuja të padëshiruara ose të parandalojmë eventualisht ndonjë situatë kaotike”, deklaroi Stojanço Angellov – QMK.
Për nevojën e ruajtjes së spitaleve private, ato do të vendosin bashkë me ministrin e shëndetësisë, shtoi Angellov. Ai bëri thirrje të mos krijohet panik, pasi siç tha situata është nën kontroll.
“Ne në spitale nuk kemi prishje të rendit dhe qetësisë, kishte disa incidente të vogla, por duam të intervenojmë parakohe për ta zvogëluar rrëmujën, që punonjësit shëndetësor të munden të punojnë pa pengesa”, u shpreh Stojanço Angellov – QMK.
Për planin aksionar të shtabit kryesor të QMK-së, gjegjësisht mënyra së se si do të përballet me krizën, do ta konfirmon Komiteti drejtues i Qeverisë./tv21